27 shkurt 2015 –  Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, një reagim të hapur ka patur nga këngëtarja Anjeza Shahini, në lidhje me këngën që do të na përfaqësojë në Eurovizion. Ajo ka sulmuar hapur Elhaida Danin, duke theksuar se e ndryshoi këngën për kapriço. 

"Unë dua të jetë në ESC ai që e meritonte e që e ka merituar prej kohësh @Bojken Lako. Me gjithë respektin për artisten Elhaida, nuk më duket e drejtë kjo kapriço, aspak profesionale e kujtdo për t'u tërhequr. Ku shkuan të gjitha rregullat që vihen përpara festivalit në kaq vite?! Kush janë këta njerëz që marrin përsipër të bëjnë si të duan me Televizionin e Shqiptarëve Taksapagues ?!".

Më duket e padrejtë dhe mungesë respekti kundrejt gjithë artistëve të tjerë që prej vitesh respektojnë rregullat. Vitin e ardhshëm le ta dërgojnë Elhaidën me një format të ri festivali, ku zgjidhet një përfaqësues dhe konkurojnë kompozitorët për këngën që i përshtatet më mirë këngëtares, sikurse kanë bërë shumë shtete. Me siguri do të kemi edhe rezultate shumë më të mira.