DURRËS, 30 prill 2014 –  Etiketa, kartolina, pulla, foto  të epokës komuniste për hotelin “Adriatiku” të Durrësit po hidhen në ankandet on-line, që, nga ana tjetër, janë dhe dëshmi të marketingut të asaj kohe si për tërheqjen e turistëve, ashtu dhe për kurimin e imazhit të Shqipërisë së asaj kohe në botë.

“Dyrrah”-u po paraqet një mjet promocioni turistik, etiketë që u vihej valixheve turistike në formë ovale, me ngjyra, ku është pikturuar hotel “Adriatiku” dhe një sanall i vogël me vela, si dhe harta e Shqipërisë me siglën e ALBTURIST-it, e shitur në e-bay; shitësi është një hungarez nga Budapesti.

Po ashtu, në ankandet on-line është dhe një pullë, ku grafisti ka vizatuar hotelin “Adriatiku”.

Janë disa kartolina me montazhe apo pamje të hotelit, ku janë zgjedhur me kujdes mjediset, arkitektura, rëra e plazhit.

 

Info

Në vitin 1956 u krijua ndërmarrja shtetërore “Albturist”, që merrej me administrimin e infarastrukturës turistike si dhe me promovimin e turizmit në kushtet e ekzistencës së bllokut lindor ose të vendeve të demokracive popullore komuniste.

Ndërkohë në vitin 1958 përfundoi ndërtimi i hotelit luksoz për kohën “Adriatiku” me një kapacitet prej 54 dhomash, që u pasua në vitet 1961-1962 me tri hotelet e tjera, ngjitur me të: “Apollonia”, “Kruja” dhe “Durrësi”.

Për shkak të afërsisë me Tiranën, me pozicionin në qender të vijës bregdetare, Durrësi u shndërrua në kryeqytet turistik të vendit dhe për faktin se elita sunduese e kohës ndërtoi bllokun e vilave këtu, përveç shfrytëzimit edhe të ish-rezidencës verore të Ahmet Zogut në kodrat e qytetit.

Deri në vitin 1961 turistë të huaj zakonisht vinin nga Polonia, ish-Bashkimi Sovjetik, ish-Gjermania Lindore, ish-Çekosllovakia, Hungaria.

Ndërkohë në numrin e 19 korrikut 1961 gazeta amerikane “Nju Jork Tajms” (New York Times) njoftonte se agjencia shtetërore turistike polake “Orbis” kishte anuluar të gjitha udhëtimet turistike për pushime në Shqipëri për atë verë.

Sipas kësaj gazete, nuk ishte dhënë asnjë shpjegim zyrtar për këtë gjë.

Megjithatë, “Nju Jork Tajms”-i mësoi jo-zyrtarisht, por nga burime të besueshme se autoritetet shqiptare u kishin refuzuar viza ose lejehyrje si polakëve ashtu dhe gjermano-lindorëve.

Pas prishjes me lindjen, në vitet 1960-1980 në Shqipëri filluan të vinin si turistë “Miq të Shqipërisë”, kryesisht të orientimit të majtë, por edhe grupe të organizuara nga vendet nordike, Franca etj.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/