Banka e Shqipërisë ka vijuar blerjet e euros në vlera të mëdha edhe gjatë muajit maj, si pjesë e ankandeve të planifikuara për qëllimet e administrimit të rezervës valutore të vendit.
Sipas informacioneve në tregu, muajin e kaluar u zhvilluan dy ankandet e planifikuara, përkatësisht më datë 11 maj dhe 26 maj.
Në ankandin e datës 11 maj, shuma e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes pesë dhe nëntë milionë eurove, ndërsa Banka e Shqipërisë realizoi blerje në vlerën e sipërme të intervalit, për gjithsej 9 milionë euro.
Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte në intervalin mes 110.55 dhe 110.67 lekëve. Kursi mesatar i ponderuar i blerjeve në raundin e parë ishte 110.64 lekë.
Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 6.5 milionë eurosh, me kursin mesatar të blerjeve në raundin e parë, prej 110.64 lekësh. Në total, shuma e blerë në ankandin e datës 11 maj arriti në 15.5 milionë euro.
Në ankandin e datës 26 maj, shuma e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes pesë dhe nëntë milionë eurove, ndërsa Banka e Shqipërisë edhe në këtë rast realizoi blerje në vlerën e sipërme të intervalit, për gjithsej 9 milionë euro.
Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte në intervalin mes 110.6 dhe 110.72 lekëve. Kursi mesatar i ponderuar i blerjeve në raundin e parë ishte 110.67 lekë.
Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 7.5 milionë eurosh, me kursin mesatar të blerjeve në raundin e parë, prej 110.67 lekësh. Kështu, shuma e blerë në ankandin e datës 26 maj ishte edhe më e lartë, me gjithsej 16.5 milionë euro.
Gjithsej, në dy ankandet e muajit maj, Banka e Shqipërisë bleu 32 milionë euro në tregun e brendshëm financiar, ndërsa në muajin prill pati blerë 25.2 milionë euro të tjera. Megjithëse banka qendrore ka tërhequr 57.2 milionë euro nga tregu në dy muajt e fundit, kursi i euros me lekun gjatë këtyre muajve ka pësuar rënie të vazhdueshme.
Në fund të javës së kaluar, euro këmbehej me 108.73 lekë, niveli më i ulët i të gjitha kohërave. Agjentët e këmbimit valutor shprehen se oferta e euros në tregun valutor është shumë e lartë dhe kërkesa e Bankës së Shqipërisë nuk ka luajtur rol të dukshëm në frenimin e rënies së kursit të monedhës europiane.
Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë janë pjesë e programit të ankandeve për menaxhimin e rezervës valutore dhe nuk kanë qëllim të ndikojnë kursin e këmbimit. Këtë vit, Banka e Shqipërisë ka planifikuar të zhvillojë gjithsej 16 ankande, në të cilat parashikon të blejë një shumë midis 160 dhe 220 milionë eurove për vitin 2023.
Kjo shumë përfaqëson një rritje të konsiderueshme në raport me shifrat e vitit të kaluar, kur blerjet e valutës ishin afërsisht 140 milionë euro. Deri tani, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar gjashtë ankande të blerjes së valutës, ndërsa 10 të tjera do të zhvillohen në periudhën qershor-dhjetor.
Në fund të muajit prill, rezerva valutore e vendit kishte vlerën e 4.95 miliardë eurove, në rritje të lehtë me 1.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.