Familjet e 10 fëmijëve me aftësi ndryshe në qytetin e Peshkopisë do ta nisin vitin e ri shkollor me një ndihmë financiare, falë kontributit të rotarianëve.

Ankandi i titulluar “Alfabeti i ngjyrave”, që e mori emrin nga aktiviteti me të njëjtin emër i mbajtur javë më parë në qytetin verior, grumbulloi 3020 euro nga shitja e 12 pikturave të koleksionit të Luçiana Shabanit dhe fëmijëve me aftësi ndryshe.

Iniciuesi i kësaj nisme, arkitekti Indrit Hamiti na rrëfen më shumë detaje mbi aktivitetin e zhvilluar dy javë më parë në Qendrën Kulturore Peshkopi. 

“Para dy-tre javësh u organizua Klubi i Rotarakëve të Durrësit me mbështetjen e 5 artistëve të mirënjohur shqiptarë Artan Shabani, Ardit Boriçi, Ylli Drishti, Lysien Koçi dhe Robert Përmeti. Të gjithë së bashku, me mbështetjen e Klubit të Rotarakëve dhe Rotarianëve shkuam në Peshkopi dhe në bashkëpunim me shoqatën lokale “Bashkë mundemi” organizuam një grup fëmijësh me aftësi ndryshe për të vizatuar”,- tha Hamiti.

Mbi 20 piktura të realizuara nga 10 fëmijë me aftësi ndryshe dhe 5 piktorë të njohur shqiptarë tërhoqën jo pak vëmendjen e rotarianëve nga Shqipëria dhe Kosova, të mbledhur në Durrës, me rastin e konferencës së përbashkët të Distriktit 2485.

Në shumë nga tablotë, pjesë e ankandit, fëmijët me aftësi ndryshe sollën në telajo peizazhe nga qyteti, nga natyra apo portrete të njerëzve të tyre më të dashur.

Nisma synonte që fëmijët me aftësi të veçanta dhe bashkëmoshatarët të përdornin artin si një formë sensibilizuese për talentin e fshehur të gjithëkujt prej tyre.

Pikturat që regjistruan çmimin më të lartë në ankand ishin dy të blera nga rotarianët Skënder Garori dhe Fatmir Mborja, me vlerë 600 euro.

“Të ardhurat nga shitja e pikturave do t’i dhurohen familjeve të fëmijëve, me qëllim financimin e shkollimit dhe blerjen e mjeteve të nevojshme”,- deklaroi rotariani Indrit Hamiti.

M.B.