TIRANE – Tre ditë përpara përfundimit të vitit, qeveria do të marrë 6.7 miliardë lekë borxh qytetarëve të saj. Banka e Shqipërisë njofton se më 28 dhjetor do të zhvillohet ankandi ku do të shiten bono thesari me afat maturimi 9-mujor, kundrejt një vlere prej 3.2 miliardë lekë dhe bono 1-vjeçare kundrejt shumës 3.5 miliardë lekë. 

Sipas njoftimit të Bankës Qendrore, data e emetimit të bonove do të jetë 3 janari i vitit 2013. Këto para qeveria do t’i përdorë derisa të bëhet çelja e buxhetit të vitit të ardhshëm. 

Heqja e kufirit të borxhit e lejon qeverinë që të marrë borxh pa kufi, për të plotësuar nevojat e saj për financime. Në fund të këtij viti, borxhi pritet të kapërcejë nivelin e 61% të Produktit të Brendshëm Bruto, ndërsa vitin e ardhshëm, ky tregues, sipas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha do të kapë 62.6%. Por duke qenë një vit elektoral, borxhi mund të kapërcejë në 2013-ën përtej këtij niveli të deklaruar.