Nga Aleksandër Cangonja

Me ardhjen në krye të Bashkisë së Durrësit të Ahmet Daklit dihet botërisht se shumë gjëra ndryshuan për mirë në këtë qytet, menaxhimi i drejtë i fondeve dhe implementimi i projekteve në problematikat jetike ishin disa nga aspektet kryesore të drejtimit të tij si Kryetar i Bashkisë së Durrësit. Por me ardhjen e tij gjithashtu u luftua nepotizmi dhe korrupsioni, elementë mjaft të pranishëm në Durrësin e asaj kohe. Në fakt kjo luftë u përkrah nga shumica e parisë së qytetit, por si duket i prishi punë një pakice e cila përfitonte prej vitesh.

Në shkurt të vitit 1934 në oborrin mbretëror shkon një telegram drejtuar Mbretit Zog nga një grup tregtarësh durrsakë. Në telegram ata ankoheshin për drejtimin që Kryetari i Bashkisë Durrës Ahmet Dakli po i bënte punëve të qytetit.

Tregtarët e cilësonin Daklin si të pa aftë dhe kërkonin nga Mbreti, që ta hiqte nga ajo pozitë.

Gjithsesi telegrami kaloi në disa filtra të nevojshëm për të vertetuar saktësinë e atyre që shkruheshin aty. Fillimisht filloi komunikimi midis Zyres Sekrete dhe Prefekturës së Durrësit. Me datë 5 mars të vitit 1934 Prefekti Zef Kadarja i dërgon Zyrës Sekrete një telegram ku i shkruan : “Disa pronar, tregtar kanë heq nji telegram N.M. së Tij Mbretit kundër kryetarit Bashkisë ktushme tuej u ankue se nuk ka zotinë e administrimit te Bashkisë dhe tuej kerkue nji kryetar e ri.”

Midis të tjerave Prefekti shkruante se iniciatorët e kësaj letre janë disa tregtarë që kanë pasur divergjenca të njohura me Kryesinë e Bashkisë për shkak të vendimeve në disfavor të tyre. Ata kishin shkuar në Prefekturë dhe kishin paraqitur ankesën e tyre dhe veç kësaj nënpunësi i telegrafit e kishte dërguar telegrafin pa lajmëruar titullarin e institucionit.

Hetimi dhe zgjidhja e dhënë nga Prefekti

Prefekti i Durrësit Zef Kadarja nisi hetimin e çështjes në fjalë. Në zyrën e tij janë paraqitur disa nga tregtarët të cilët ishin nënshkrues të letres kundër Daklit. Ata kanë paraqitur lutje të cilat përgënjeshtronin përmbajtjen e asaj letre ankuese, duke thënë se ata kishin nënshkruar me mirëbesim duke menduar se ajo letër përmbante vetëm lutje për sjelljen e ujit të pijshëm në Durrës dhe sistemimin e varrezave të qytetit, dhe aspak qëllim për të protestuar kundër Ahmet Daklit. Në fakt emrat e këtyre tregtarëve ishin: Bajram Beja, Haxhi Elezi, Mahmut Kalavrezi, Hysen Tabaku, Halil Prezja, Myrteza Kuqi, Qazim Kau, Qazim Kuqi, Halil Begteshi, Hajdar Çela, Lin Vlashi dhe Hasan Korbi. Me datë 23 mars 1934 Prefekti Zef Kadarja nëpërmjet një telegrami reservat i drejtohet Zyrës Sekrete pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ku midis të tjerave shkruhet: “Veçanerisht sot na u paraqiten ne Prefekture nje Delegacion i perbame prej Z.Z. Spiro Kallço, Jonuz Shijaku, Aristidh Leka, Dr.Moisi Popa, Adem Sula, Jani Nushi, Haki Ballhysa, Ramazan Ali Veli, Nikolla Pepa, Av.Ilia Llavda, Hamza Kosova, Asim Myshketa, Osman Beja, Perikli Spiro, Telemak Manastirliu, Av.Hysen Myshketa, Halil Beshiri, Aqif Çelkupa, Halil Kruja, Av.Perikli Goga dhe Hajdar Çela të cillet na parashtruan se depllorojne vepren e disa bashke-qytetareve te tyne qe kan guxue te paraqiten ne emer te popullit te Durresit tue drejtue neper Ente te Nalta Shtetnore protestime kunder Kryetarit te Bashkis ketushme, kurse shumica ma e madhe Durresit ushqen per Zotnin e tij nje respekt te posaçem dhe nuk ka kundrejt tij asnje ankim.”

Delegacioni parashtroi që lutjen e tyre tja transmentojnë Ministrisë në fjalë. Nga krahu tjetër tregtari i madh i qytetit Vangjel Manush,i i cili ishte nga ankuesit e letres kundër Kryetarit të Bashkisë i kishte komunikuar Prefektit se nënshkrimi i tij ishte vënë me mirëbesim sepse Veli Juba, një tregtar dhe pronar i madh tokash në Durrës e kishte ndaluar në rrugë dhe i kishte kërkuar nënshkrimin e kësaj letre për t’u ankuar për ujin e pijshëm dhe varrezat, dhe pa e lexuar letren e kishte firmosur. Prefekti në telegram përsëriste se iniciatoret e kësaj letre si Veli Juba janë po ata që kanë divergjenca me Kryetarin e Bashkisë për çështjet e tyre personale.

Morali: E vërteta mund të vonojë, por do të dalë, Ahmed Daklit i dolën në krah shumica e qytetit, sepse ishte një figurë e pastër morale dhe profesionale. Ai në opinionin tim vazhdon dhe sot të ngelet një nga administratorët më të mirë, që Bashkia e Durrësit ka pasur.

(Në foto: ish-Kryetari i Bashkisë Durrës vitet 1929-1937 Ahmet Dakli)