Me dhjetëra abonentë që disponojnë të paktën një numër të kompanisë telefonike "Eagle Mobile", kanë ankesa të shumta për shkak të shërbimeve të cunguara që ofron kjo kompani.
Një grup prej 15-16 personash nga Durrësi që vendosën të blinin një numër "Eagle" thuajse në të njëjtën kohë, në mënyrë që të përfitonin nga ofertat e të kishin më tepër minuta për të komunikuar me njëri-tjetrin, tanimë paralajmërojnë që do të largohen njëherë e përgjithmonë nga kjo kompani.
Ata kanë paraqitur pranë "DurrësLajm" ankesat e tyre në lidhje me mbarimin e ofertës mujore shumë ditë përpara afatit 28-ditor, thuajse dy javë pas blerjes së saj.
Më konkretisht, ata thonë që kanë blerë si çdo muaj njërën prej paketave mujore, por minutat e disponueshme i kanë mbaruar shumë herët, pas 15 ditësh, ndërkohë që shprehen të bindur se nuk i kanë konsumuar ato.
"Nuk ekziston asnjë mundësi që të kemi konsumuar 1000 minuta brenda dy javëve. Përgjithësisht flasim më tepër me internet. Si mundet që këtë muaj na mbaroi oferta pa e bërë ende mirë?!", thonë ata me nota irritimi, teksa shtojnë që edhe muaj më parë kanë pasur probleme të tilla me mbarimin e ofertës disa përpara afatit të përcaktuar, por kurrë në një periudhë kohore kaq të shkurtër.
Si të mos mjaftonte kjo, këtyre abonentëve nuk iu shkon një mesazh informimi nga kompania në fjalë që oferta e tyre ka përfunduar, apo kanë vetëm mb interneti të disponueshëm.
Kanë bërë vazhdimisht ankesa nëpërmjet numrit telefonik që kompania u ka vënë në dispozicion, por operatorët u shpjegojnë procedurat burokratike që duhet të ndjekin, për të plotësuar formularë e për t’i dorëzuar më tej ato, pra shkurt: në vend që t’ua lehtësojnë problemin në fjalë, i detyrojnë të shpenzojnë më tepër kohë e në fund sërish pa zgjidhje.
Vetëm në qytetin e Durrësit, ka me dhjetëra abonentë që ndajnë të njëjtin shqetësim, të cilët paralajmërojnë se nëse kompania nuk merr masa, do të largohen drejt dy operatorëve të tjerë që funksionojnë në treg: Vodafone ose T!





