Qytetarët durrsakë teksa bëhen gati për festën e ndërrimit të viteve, pohojnë se çmimet e produkteve kanë pësuar rritje, duke e konsideruar abuzive këtë fenomen që përsëritet vit për vit.

Një gjë e tillë, i ka detyruar blerësit në Durrës që të kufizojnë sasinë e produkteve që do të shtrojnë në tavolinë përgjatë festave. Nga ana tjetër, tregtarët thonë se çmimet nuk kanë ndryshuar, duke përjashtuar ato produkte që nuk janë të stinës.

Gjatë mbledhjes së Prefekturë së qarkut për planin e masave nga të gjitha drejtoritë rajonale për festat e fundvitit, drejtoresha e Tatim-Taksave në Durrës, Valbona Sako, deklaroi që nuk do të ketë kontrolle për bizneset që operojnë në qytet, pasi nuk ka vend për abuzim, sipas saj.

Në fjalën e saj, drejtoresha Sako iu bëri thirrje bizneseve në Durrës të mos shkelin procedurat ligjore duke rritur çmimet e produkteve.

K.H.