8 tetor 2015 – Portali “DurrësLajm” ka vijuar të ndjekë problematikën e ngritur masivisht nga prindërit e Durrësit, për paratë që u kërkohen me detyrim nxënësve të shkollave që nga klasa e parë në sistemin nëntëvjeçar e deri në maturë.

Ankesat e vazhdueshme të prindërve, që u kërkohen para nga mësuesit për pagesat e rojeve dhe të pastrueseve në shkolla, kanë sjellë përplasjen e radhës midis Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe Bashkisë së qytetit.

Ana Dovana, përgjegjëse në drejtorinë e Arsim Kulturës në Bashki, në një reagim për çështjen tha:

“Ne jemi në dijeni të ankesave madje me vëmendje e lexuam artikullin në portalin “DurrësLajm”, dhe rojet e pastrueset në shkolla janë në organikën e Drejtorisë Arsimore, është kjo drejtori që e bën organikën dhe ka në varësi të saj të gjithë punonjësit, duke përfshirë edhe personelin arsimor të shkollave në tërësi.

Bashkia e Durrësit nuk ka lejuar të bëhen pagesa të tilla në çerdhe dhe në konvikte, institucione që varen prej bashkisë. Bashkia nuk ka tagër t’u kërkojë llogari drejtuesve të shkollave për paratë që u mbledhin nxënësve, këtë tagër e ka Drejtoria Arsimore Rajonale. E vetmja gjë që e prek institucionin e bashkisë është lyerja e klasave. Por lyerja bëhet e planifikuar, nga ana e bashkisë. Klasat dhe shkollat nuk lyhen vit për vit, ashtu sikundër shtëpitë që nuk lyhen vit për vit, por një herë në dy a tri vjet.

Institucionet arsimore, shkollat dhe kopshtet kanë varësi të dyfishtë edhe nga Bashkia edhe nga Drejtoria Arsimore Rajonale, sepse ne përgjigjemi për investimet në to dhe mirëmbajtjen, por personeli varet nga Drejtoria Arsimore”, deklaroi Dovana.

Bashkia është njohur edhe më herët me ankesat e prindërve të cilët shpeshherë i janë drejtuar bashkisë për shqetësimet që kanë, në lidhje me kërkesat e shkollës.

“Ne nuk na pyet asnjë prej drejtueve të shkollave për paratë që mbledhin, pse, apo ku i shpenzojnë. Madje drejtuesit e të gjitha shkollave nëntëvjeçare e të mesme, si edhe të kopshteve, nuk di se mbi ç’baza i marrin këto vendime për mbledhjen e parave nga nxënësit. Para dy vjetësh, ankesat e prindërve erdhën edhe në bashki, sepse gjimnazistëve të “Naim Frashërit” u kërkohej nga 50 lekë në ditë, për pastrimin e palestrës. Por asnjë prej drejtuesve të shkollave nuk jep llogari në bashki, por vetëm në Drejtorinë Arsimore”, pohojnë burimet brenda bashkisë.

Drejtuesit e shkollave “dorë të lirë” për të mbledhur lekë fëmijëve. Vetë Ali e vetë kadi! 

Nuk kontrollohen as nga Drejtoria Arsimore dhe as nga Bashkia.

Prej vitesh është bërë e modës, që sapo të fillojë viti shkollor, nxënësit e shkollës duhet të paguajnë para me detyrim për të siguruar roje për shkollën dhe pastrueset. Gjatë vitit, në shkolla të ndryshme, drejtuesit vendosin të mbledhin lekë nga nxënësit për perdet, lyerjen e klasave, blerjen e dosjeve, vendosjen e sistemit të kamerave në ambientet e shkollës. 

Ky urdhër jepet nga drejtorët e shkollave. Nuk dihet se mbi ç’baza e me çfarë kriteresh bëhet përzgjedhja e këtyre punonjësve, por pastrueset dhe rojet në disa shkolla nuk figurojnë as të siguruar, çka do të thotë se janë në punë të zezë.

Paratë që mblidhen askush nuk di të thotë me përgjegjësi se ku shkojnë e çfarë bëhet, sepse shkollat në Durrës me mbi 1 mijë nxënës, mbledhin shuma deri në 10 milionë lekë të vjetër.    

/K.H. portali DurresLajm/