Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për në 17 janar 2025 shqyrtimin e ankimimit të kreut të PD-së, Sali Berishës për masën e sigurisë “arret shtëpie” të caktuar për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Seanca ishte planifikuar për në datën 27 dhjetor, por gjykata njoftoi se është shtyrë për arsye objektive.
Ndërkohë, muajin e kaluar, Gjykata Kushtetuese doli me njoftim duke pranuar kërkesën e liderit të opozitës për të përshpejtuar procesin ndaj ankimimit.
“Në datën 26.11.2024 Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim kërkesën për “Përshpejtimin e gjykimit”, të paraqitur nga kërkuesi Sali Berisha në datën 25.11.2024, ka vendosur: – pranimin e kërkesës për përshpejtimin e gjykimit, si dhe reduktimin e afateve të palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe qëndrimeve të tyre, si dhe caktimin e seancë plenare mbi bazë të dokumenteve në datën 27.12.2024, ora 10:00″, thuhej në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 26 nëntor 2024.
Ndërsa në seancën e 21 nëntorit, Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin lidhur me ankimimin e depozituar nga Berisha përsa i takon dy masave të para të SPAK, “detyrim paraqitje” dhe ndalim të daljes jashtë vendit, për të cilat Prokuroria e Posaçme anashkaloi autorizimin nga Kuvendi. GJKKO me shumicë votash, vlerësoi se legjitimohet i drejtë rruga që SPAK ka ndërmarrë duke shkuar t’i kërkojë GJKKO-së masë sigurimi “detyrim me paraqitje” përBerishën pa qenë nevoja të kërkonte autorizimin nga Kuvendi.