Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg” dhe lirim nga qelia.

Ish presidenti i vendit bëri pak ditë më parë ankimim në Apelin e GJKKO kundër vendimit të Shkallës së Parë, e cila e rrëzoi gjithashtu kërkesën për lirim nga qelia.

“Gjykata vendosi mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri I.M., nëpërmjet mbrojtësit av. Gylsen Zhllima, ndaj disponimit nr. 863/40, datë 05.01.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”, njofton gjykata.

Kërkesa e ish presidentit për lirim nga qelia është rrëzuar edhe më parë nga të tria shkallët e gjyqësorit që kanë vendosur ta lënë në burg.

Kreu i Partisë së Lirisë i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit që kanë lënë në fuqi masën e arrestit janë antikushtetuese dhe cenojnë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ilir Meta ndodhet në qeli prej tetorit 2024, dhe akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe 3 të tjerë.

Njoftimi i plotë i gjykatës: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më datë 30.01.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 37 akti, datë 26.01.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit I.M.: “Ankim kundër vendimit nr. 40/863, datë 05.01.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt:

Kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me një masë më të butë sigurimi nga ato që parashikohen në Kodin e Procedurës Penale” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

– Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri I.M., nëpërmjet mbrojtësit av. Gylsen Zhllima, ndaj disponimit nr. 863/40, datë 05.01.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Ky vendim t’i njoftohet palëve.

– Ndaj këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë. Tiranë, më 30.01.2026.”, njofton gjykata.