Shtrenjtimi i tarifave portuale dhe radhët e gjata që krijohen në port, kanë sjellë reagimin e subjekteve të biznesit që operojnë në Durrës.
Nardi Reso, një prej drejtuesve të kompanive të lundrimit që operojnë në linjën Durrës-Bari, në mbledhjen e këshillit konsultativ iu drejtua autoriteteve me kërkesa të qarta për të zgjidhur problemin që kanë të gjithë subjektet e biznesit me tarifat e portit dhe skanimin e mallit.
“Porti i Durrësit ka tarifat më të larta në rajon. Më shtrenjtë është të hysh në portin e Durrësit sesa në portin e Venecias. Çdo target për çdo hyrje paguan 3 mijë euro tarifë plus 1 mijë euro për rimorkiatorin, i cili është detyrim. Kemi një skaner persekutues. Pasagjerët nga Kosova e kanë braktisur portin e Durrësit, ata po lëvizin në rrugë tokësore nga Serbia. Nëse në skaner do të futen të gjithë kamionët, gjë që nuk ndodh në asnjë port tjetër të botës, biznesi e ka punën keq e më keq”, ishte apeli që dha Reso.
Për kreun e APD-së Artjan Qirici, këto masa shtrënguese kanë ardhur si pasojë e luftës ndaj drogës. Ndërsa për shefen e komisariatit të policisë së portit të Durrësit, Lindita Nushi, ndërtimi i shesheve të reja dhe i një korridori nga APD, do të zgjidhë këtë problem. Zonja Nushi nuk u tërhoq nga vendimi që të gjithë kamionët të kalojnë në skaner pa asnjë dallim.
K.H.