Legjenda e futbollit gjerman Franz Beckenbauer është operuar dje në zemër, një lajm që është zbuluar dhe më pas publikuar nga e përditshmja gjermane “Bild”. Një operacion që vjen pak ditë pas akuzave nga drejtësia zvicerane, sipas së cilës Beckenbauer ka paguar ryshfete në mënyrë që Gjermania të organizojë Botërorin e vitit 2006. Gjithsesi, operacioni në zemër duket se nuk ka të bëjë me këto akuza, por për një “bypass” që legjenda gjermane e futbollit e kishte planifikuar prej disa ditësh. Më tej, “Bild” sqaron se operacioni në zemër është bërë në një klinikë në jug të Gjermanisë, një ditë pas kontrollit që iu bë në shtëpinë e tij në Salisburg. Kontroll që iu bë në kuadër të hetimit që Prokuoria Federale e Zvicrës ka bërë për riciklim parash dhe ryshfete nga ana e Franz Beckenbauer dhe drejtuesve të tjerë të Federatës Gjermanie të Futbollit për të fituar të drejtën e organizimit të Botërorit të vitit 2006. Pritet që legjenda gjermane e futbollit të qëndrojë 7-10 ditë në spital, çka do të thotë se mund ta festojë 71-vjetorin e lindjes (më 11 shtator) në klinikë.