ITALI– “Sanremo është një nënprodukt i 1 Majit. Nuk iu përket artistëve, por sistemit”, ka deklaruar këngëtarja me origjinë shqiptare Ana Oxa ndërsa ka sulmuar ashpër Festivalin e Sanremos.  Anna Oxa është 14 herë pjesëmarrëse në Sanremo, për herë të parë në vitin e largët 1978, kur Italia e zbuloi si talent në moshën 19-vjeçare me këngën ‘Un’emozione da poco” (Një emocion i sapolindur).

Sulmi i Anna-s erdhi në fund të konferencës së shtypit, që prezantuesi i Sanremo-s për këtë vit, Fabio Fazio mbajti duke paraqitur pjesëmarrësit dhe të ftuarit e edicionit 2013. Më pas Oxa foli drejtpërdrejt edhe për gazetën italiane, “Corriere della sera”.

“E përjashtuar nga një zënkë” 

“Mos e quani zemërim. Reagimi im është një akt drejtësie. Jam përjashtuar për arsye politike”,- shprehet e mbushur plot e përplot Anna. “Pyeta ata që ishin në komisionin e përzgjedhjeve. Gjendesha në 14 finalistët gjysmë ore përpara publikimit të emrave. Dhe më pas jam hequr, pas një zënke të çmendur. Pse? Pasi jam një ‘qen kuturu, i lirë’, që nuk i përkas askujt”,- deklaron e irrituar Oxa.

Më tej Anna, i mëshon konceptit: “Ky festival duket një nënprodukt i Koncerteve të 1 Majit. Nuk është muzikë, por event. Dhe Fazio është “i bukuri” i pushtetit politik”.

Oxa: “Mos votoni” 

A është e mundur, që në 14 herët e saj të mëparshme të kenë qenë kritere më të mira përzgjedhjeje? “Sigurisht që nuk kemi rënë kurrë kaq poshtë. Sot të rinjtë përdoren, hidhen në garë pa përgatitjen e përshtatshme. Sanremo është një pasqyrë e degradimit të vendit, ku krijimtaria nuk vlerësohet. Por unë jam e vetme në këtë akt drejtësie”. Deri tani, a ka shprehur ndonjë koleg solidaritet?: “Unë nuk kam kolegë. Ka luftëtarë, ka edhe larva: unë jam luftëtare”. Duke parë se nga kolegët nuk i vjen ndihmë në këtë pikë Oxa fton publikun për një mbështetje solidarizuese: “Në 24 dhe 25 shkurt, në votime u them: Të kuqtë, të verdhët, të zinjtë ndryshojnë ngjyrat, por janë gjithmonë të njëjtët. Italianët nuk duhet të votojnë më. Sepse kjo nuk është demokraci”.