Familja e 18-vjeçarit Anri Kashiku, i cili humbi jetën ditën e djeshme në Durrës pasi shpëtoi nga mbytja vëllain e tij të mitur dhe një shok të tij, ka hapur dyert e mortit.
18-vjeçari do të përcillet sot për në banesën e fundit, ndërsa fqinj dhe të afërm të familjes, shprehen të tronditur nga ngjarja.
“Ne po përjetojmë një dramë shumë të madhe. Ka qenë në shkollë, ishte maturant i shkreti”, shprehet njëra nga banoret e lagjes.
“Ai djali ishte shembullor, qoftë në shkollë, qoftë në rrugë, qoftë edhe në kountributin duke shpëtuar ata dy fëmijë. Është dhimbje e madhe”.
“Ishte një djalë i shkathët, i urtë, i shoqërueshëm. Mjerë nëna dhe prindërit që po e largojnë sot. Ka bërë një heroizëm shumë të madh. Ka shpëtuar vëllan e vet dhe një djalë të vetëm.”
“Na vjen keq për të. Djalë 18 vjeç, Çfarë të them, është një dhimbje e rëndë”, thonë banorët e tjerë.
Një ditë më parë Anri së bashku me vëllain dhe shokë të lagjjes kishin shkuar në plazh për të pushuar e për t’u larë disa orë. Por deti ishte me dallgë, dhe në plazh nuk kishte roje sigurie që në rast mbytjeje të shpëtonin dy të miturit që rrezikonin.
Rrezikun e mori në sy djaloshi i stërvitur dhe ja doli të shpëtojë vëllain dhe shokun e tij i cili është fëmijë i vetëm i familjes. Në plazhet e fshatit Rinia mungojnë tërësisht kullat e vrojtimit apo shpëtuesit të cilët në rast rreziku do t’i vinin në ndihmë pushuesve për të shmangur tragjedi të tilla.
Një ditë më pas të gjithë pushuesit në bregdetin e Durrësit, janë shumë të tronditur nga mbytja në det e 18-vjecarit.





