Teksa një ditë më parë u bë publike vizita e kryeministres Giorgia Meloni në Shqipëri, media italiane ANSA ka zbardhur këtë të shtunë detaje të reja nga vizita.
Sipas ANSA, në fokus të kësaj vizite është puna për ngritjen e kampeve të refugjatëve që po ndërtohen në Shëngjin dhe në Gjadër të Lezhës.
“Puna është ende në zhvillim e sipër, por falë javës së kulturës italiane, të mërkurën e ardhshme Giorgia Meloni do të rikthehet në Shqipëri për të vizituar dy qendrat e menaxhimit të emigrantëve të cilat nuk janë ende funksionale, por që qeveria dëshiron t’i aktivizojë sapo të jetë e mundur”.
Në shkrim thuhet se Meloni mund të mos e vizitojë Tiranën, por vetëm Shëngjinin.
“Një vizitë, e cila mund të mos prekë as Tiranën, programi është ende në përcaktim dhe që bie pak ditë para zgjedhjeve europiane, për të cilat kryeministri kërkon edhe votën e studentëve.”
Ndër të tjera, ANSA shkruaj se vizita e Melonit në Shqipëri do të jetë institucionale dhe pse do të përkojë me fushatën elektorale.
“Vizita në Shqipëri do të jetë institucionale për kryeministren, edhe pse do të përkojë me fushatën elektorale dhe vjen pas “inspektimit” të ditëve të fundit të deputetëve të së majtës që drejtuan gishtin tek “blofi elektoral” dhe spektakli me “buldozerë në shkretëtirë” që hasën në kantieret e ndërtimit.
Kampi në zonën e portit të Shëngjinit është praktikisht gati, ndërsa në zonën e Gjadrit ku do të vendosen Qendrat e Pritjes dhe Riatdhesimit, puna është ende duke vijuar, por qeveria siguron se do të mbyllet sa më shpejt.
Një udhëtim i kryeministres italiane atje ishte përfolur për datën 20 maj, kur ishte planifikuar hapja e qendrave të emigrantëve. Më pas, një shtyrje pas tjetrës, mbërritëm tek e mërkura, vetëm 3 ditë para hapjes së qendrave të votimit për zgjedhjet evropiane”, shkruan ANSA.