Ansambli i koreografit të njohur durrsak, Arian Plaku, ka marrë pjesë në edicionin e XV-të të Festivalin Ballkanik të Artit dhe Kulturës, në Izmir, Turqi. Në këtë festival ndërkombëtar, ansambli nga Durrësi merr pjesë për herë të tretë, ndërkohë që u paraqit me një orkestrinë profesioniste, e përbërë prej 5 instrumentistësh dhe një grup valltarësh i përbërë nga 9 çifte.
Komisioni, i cili vlerëson grupet pjesëmarrëse me anë të videove të dërguara, kanë përzgjedhur Ansamblin Arian Plaku për të 3-in vit radhazi.
Këtë vit ishte kusht që ansamblet të paraqiteshin me muzikë live.
Ansambli nga Durrësi përfaqësoi vendin tonë mes 10 ansambleve nga vendet e Ballkanit si Kosova, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Kroacia, Turqia dhe Greqia.
Me performancën e arrirë në 5 valle të ndryshme; potpuri vallesh me motive të veriut, të Shqipërisë së mesme, valle me motive çame dhe të Librazhdit, ansambli Arian Plaku mori vlerësime të shumta nga organizatorët dhe ansamblet e tjera pjesëmarrëse.