…Nismëtari, nxitësi dhe frymëzuesi i kësaj trupe është pikërisht emri i njohur Milto Driza. Më erdhi mirë, që kulturën durrsake nuk e kanë lënë në baltë mbështetësit e saj tradicionalë. Milto Driza i përgatitur prej kohësh me kulturën muzikore, arrin të shpalosë aftësitë prej organizuesi të mirfilltë, duke krijuar një trupë artistike popullore. Dhe si dukuri aktive e realitetit, e vendosa në fokus të lapsit tim…

Nga BUJAR QESJA

I një natyre tjetër ky shkrim, që merrret dhe trajton nismën frymëzuese të një emri të njohur në kulturën durrsake. Profesioni i tij bazë, është mjeshër i impjanteve fonike, duke bërë edhe sot e kësaj dite, të kërkohet nevoja e bashkëpunimit me të. Veçanërisht puna 22 vjeçare në pallatin “Rinia” të Durrësit, e ktheu Milto Drizën në një referim të plotë për atë ç’ka ai dinte të bënte, në përcjelljen me nivel cilësor të veprimtarive artistike në vëmëndjen e shikuesit.

I kam njohur më nga afër cilësitë e Milto Drizës, kur më ra rasti të drejtoj pallatin “Rinia”. Edhe kur më parë në këtë detyrë ishin miqtë e mi dhe drejtuesit me emër Dashamir Gjati dhe Naim Nova, ia kisha dëgjuar namin e mirë Milto Drizës të krijuar veçse me punë dhe përpjekje. Në kushte të vështira pune, ku edhe materialet fonike të prodhimeve cilësore mungonin, ishte ky punëtor i madh, që sajonte duke u ndihmuar nga përvoja e gjatë dhe cilësitë profesionale, që të befasonte me atë çka dëgjohej në sallë.

Mjaft nga të ftuarit me emër, humoristë dhe këngëtarë të muzikës së lehtë dhe popullore, ishin të gatshëm të këndonin në skenën e pallatit “Rinia”, vetëm e vetëm për të shijuar foninë e magjishme të Milto Drizës. Tingujt e muzikës të vinin ëmbël në dëgjim, duke të ngjarë m’u si një freski pranverore. Jo më kot edhe autoritetet e kohës i dhanë titullin “Mjeshtër”, këtij zotnie të kulturës artistike por të shprehura në versionin e zanatit të tij.

Por në mesin e qershorit të vitit 2021, në edicionin e e18-të të së famshmes “Sofra Dardane” guxoi të përfaqësoj Durrësin me një trupë amatore artistike, duke u formatuar si një ansambël me emrin “Teuta”. E dija që ansambli “Durrësi” nuk ekziston më, por nuk kisha njohuri që trevën e Shqipërisë së mesme, të atij folklori aq të pasur dhe tradicional, ku e kanë përfaqësuar shumë e shumë këngëtarë të njohur popullorë si Fitnete Rexha, Qemal Kërtusha, Hafsa Zyberi, Zan Zyberi, Merita Halili, Parashqevi Simaku, Fabit Rexha, Valbona Halili, vëllezërit Zena me perlat e Isuf Myzyrit, Shazije Dollaku etj. etj. do ti dilte për zot një trupë e ansamblit artistik me emrin “Teuta – Durrës”.

Nismëtari, nxitësi dhe frymëzuesi i kësaj trupe, është pikërisht emri i njohur Milto Driza. Më erdhi mirë, që kulturën durrsake nuk e kanë lënë në baltë mbështetësit e saj tradicionalë. Milto Driza i përgatitur prej kohësh me kulturën muzikore, arrin të shpalosë aftësitë prej organizuesi të mirfilltë, duke krijuar një trupë artistike popullore. Dhe si dukuri aktive e realitetit, e vendosa në fokus të lapsit tim.

Ansambli artistik “Teuta – Durrës”, iventarizon nga dita e krijimit plot katër vite. Pa dashur i ndodhur larg një propagande të përqendruar, informacioni është zbehur disi, por absolutisht veprimtaria e saj. Tingujt e orkestrinës popullore, zërin melodioz të këngëtarëve, kërcimin aq tërheqës të valltarëve, dorën mjeshtërore të zgjedhjes së repertorit, janë dëgjuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në diasporë si Kosovë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe nuk ndalet. Milto Driza, ky 77 vjeçar energjik, i mësuar me punë, i mësuar edhe me modesti, i mësuar duke mos qenë edhe i përkëdheluri i shtypit, drejtonte trupën duke i bërë një nder të madh kulturës artistike popullore durrsake.

Cilët janë instrumentistët, këngëtarët, valltarët dhe të tjerë?

Driza falë mënçurisë dhe përvojës, ka ditur të grumbullojë rreth vetes artistë pasionantë, të formatuar në llojet e tyre të performimit, të etur për punë dhe karierë artistike. Si organizator i regjur ai kërkoi vullentmirët e artit, disa të regjur në këtë fushë, disa të tjerë me përvojë më të pakët, e të tjerë të rinj që e duan konkurencën. Drejtues i orkestrës është Alfred Mata. Në klarinetë luan aq mjeshtërisht Agim Peqini. Në organo fluturon dhe të befason Met Sedja. Telat e kitares marrin flakë nga instrumentisti Gjergj Meçe, për të përqendruar vëmëndjen në lojën aq tërheqëse të bateristit Alfred Kollçaku.

Kjo orkestër racionale, e përgatiur dhe e organizuar për të bërë surpriza të këndshme, i jep më shumë shanse interpretimi me nivel i katër këngëtarëve. Duam të veçojmë zërin aq të bukur dhe melodioz të Ylli Çiftit, që nuk u lodh së kënduari, por edhe me qëllimin e mirë për të përfaqësuar sa më të plotë folklorin e trevës së Shqipërisë së Mesme. Që me fëmijët nisi këngën Ylli Çifti, duke u bërë çift me të, e duke mos pushuar së kënduari. Ky veteran i skenës, është gjithnjë i frymëzuar nga tematikat e këngëve që interpreton, duke u dashuruar pas këngës si një notar pas detit.

Kuarteti i këngës plotësohet me dy këngëtaret Albana Prita dhe Jolanda Puçi, si dhe me të riun me shumë të ardhme Gëzim Shaqja. Puçi vjen nga diaspora, ndërsa Prita nga Korça, por që kanë lidhje aktive me Durrësin.

Grupi i valleve, i jep natyrën e një ansambli të formuar dhe me kërkesa artistike, kësaj trupe gjithnjë e më të njohur. Valltarët Gentian Marku, Mirglen Lamallari, Desiana Koroshi, Melisa Hoxha, Elibion Alika dhe Simejd Zaimi, janë gjithnjë në prefeksion të lëvizjeve të ideuar nga koreografi i njohur Aldo Aliaj. Në studion e tij Aldo – Danc, përgatiten disa breza valltarësh, të cilët përbëjnë një ardhmëri inkurajuese të artit të kërcimit në Durrës.

Një emër i lakuar i valleve, është edhe shijakasi Agim Domi, i cili krahas përvojës si koreograf i njohur i amsamblit “Durrësi”, ka marrë në dorëzim edhe arkivën filmike dhe fotografike të trupës. Nga mënyra se si është ndërtuar ansambli, është i kopsitur nga të gjitha anët.

Mbështetës i të gjitha problematikave që krijohen, i alternimit të punëve ndërmjet “reparteve” të kësaj fabrike të këngës dhe valles durrsake, është energjiku Gëzim Tola. Dhe gjithë këtë punë itensive, me përmasat e një profesionizmi në rritje, e organizon dhe e manaxhon mëndja e florinjtë e Milto Drizës, i cili e kërkon sfidën m’u bash në moshën e tretë.

E sa i takon arritjeve, më e thekura mbetet “Sofra Dardane”, ku Ansamblit Artistik “Teuta – Durrës” i jepen katër çmime:

-Çmimi i karrierës ansamblit artistik “Teuta Durrës”.

-Çmimi orkestra më e mirë.

-Çmimi këngëtari më i miri Ylli Çifti.

-Çmimi instrumentisti më i mirë Agim Peqini.

Arritje mbetet edhe angazhimi në festivalin “Plaku 2018”, organizuar në Kumeran të Kosovës.

Kureshtjes se si është ana financiare e këtij grupi kaq aktiv, Driza hesht paksa dhe reagon:

-Sponsorizimi më i madh është vullneti dhe pasioni i çdo pjestari të grupit. Kur kemi planifikuar çfaqje jashtë Durrësit, kërkojmë të na mbështesin sipas rasteve sipërmarrës të ndryshëm. Përshëmbull në Tropojë, përfaqësimi ynë u bë i mundur në saj të kujdesit që tregoi Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Ani Sako. Mbresa të veçanta na ka krijuar edhe mbështetja e fuqishme e Akademisë së njohur “Goga Basket”. I falenderojmë dhe i respektojmë pa masë mbështetësit tanë financiarë.

Megjithatë ne nuk do të ndalemi. Me atë sakrificë që ndërtojmë repertorin e çfaqjeve, po me atë përkushtim do të kërkojnë ndihmë financiare, që kjo punë e madhe dhe sakrifikuese të mos pushojë.

Ansambli Artistik “Teuta Durrës”. Mrekullia e folklorit durrsak. Drizës dhe grupit që drejton ai, ti urojmë ecuri të mbarë dhe përfaqësime edhe më të arrira.

Një përvojë që deomos duhej bërë e njohur. Dhe tentuam ta bëjmë këtë.

Suksese!