Pas tërheqjes së Lorik Canës nga Kombëtarja, një tjetër mbrojtës, Ansi Agolli, trashëgoi shiritin e kapitenit të ekipit. “Privilegj që më motivon më shumë”, komenton Agolli në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”. Ai e quan diçka surreale faktin që ndeshja u ndërpre nga stuhia dhe pranon se të gjithë ishin në stres për mënyrën si do shkonte ndeshja. Kur pyetet për objektivat në eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”, ai përgjigjet: “Të ruajmë emrin e respektuar”.

Ansi, një fitore në Shkodër në minutën e fundit. Ishte fati që u kthye me ne, apo kishit vërtet shpresa për arritjen e fitores në 15 minuta?

E kisha thënë edhe para ndeshjes, nuk do të ishte e lehtë, por kaq të vështirë nuk e kisha imagjinuar, sidomos pas golit të barazimit nga ekipi kundërshtar. Mendoj se ishte këmbëngulja deri në fund nga ana jonë duke nxjerrë edhe një herë në pah karakterin e kësaj skuadre, duke vënë zemrën në ato minuta që kishin ngelur, që u konkretizua me atë kros perfekt të Memushajt dhe me atë goditje po aq perfekte të Balajt, që e çoi trupin në rrjetë. Nuk diskutohet që edhe fati ka rolin e vet dhe fati ndihmoi ekipin më të mirë, sepse realisht ishim më lart se ekipi maqedonas.

A kishit një plan apo taktikë konkrete për të arritur tek goli?

As që diskutohet që kishim detyra nga trajneri, të cilat u munduam t’i zbatonim për aq minuta sa u luajt ndeshja. Pastaj qëlloi që goli të vinte nga një goditje standard, por edhe kjo është pjesë e lojës.

Si u ndjeve si kapiten i Shqipërisë në këtë start eliminatoresh të Botërorit?

Çdo ndeshje me Kombëtaren është një emocion më vete. Të jesh kapiten është një privilegj i madh, që më jep shtysë të punoj akoma më shumë dhe me përulësi.

Siç e përmende edhe vetë në intervistat pas ndeshjes, ishte i rëndësishëm përqendrimi psikologjik. Si e përjetuat natën deri në vazhdimin e ndeshjes?

Ishte diçka surreale që s’kishte ndodhur më parë dhe kjo nuk ishte në dorë të askujt. Pasi u ndërpre loja, nuk e kishim të qartë a do të fillonte, apo kur do të fillonte sërish. Duhet të ishim vigjilentë dhe të gatshëm për çfarëdo lloj vendimi. Pasi u vendos të luhej të nesërmen në orën 2, filluam të motivonim veten dhe shokët, sepse të jesh afër shokëve dhe bashkë në ato momente është gjëja më e rëndësishme, nëse kërkon të arrish synimin, që për ne ishte marrja e 3 pikëve. Përqendrimi në të tilla situata është mjaft i rëndësishëm.

Trajneri De Biasi tha se kishte fjetur vetëm 4-5 orë gjatë natës, pasi u përpoq të kuptonte si mund të arrihej tek goli. Çfarë ju tha ‘misteri’ para vazhdimit të ndeshjes?

E kuptoj plotësisht trajnerin. Të gjithë ishim pak në stres, sepse në lojë ishin pikë mjaft të rëndësishme, të cilat ne duhet t’i merrnim, aq më tepër që luanim në fushën tonë. De Biasi na tha fjalë motivuese dhe në ato momente kishim shumë nevojë.

A pati festë në dhomat e zhveshjes pas fitores? Çfarë mesazhesh morët nga Duka dhe De Biasi?

Më shumë do të thosha që ishte një çlirim i atij tensioni dhe frymëmarrje e lirshme. Emocion për fitoren, emocione që i përjeton vetëm me Kombëtaren shqiptare dhe askund tjetër.

A i keni vendosur vetes një objektiv në këto eliminatore? Do të kënaqeshit me vendin e tretë?

Kjo ndeshje është një kapitull i mbyllur tashmë. Ne morëm atë që dëshironim, por mund të bënim akoma më mirë. Në fund të fundit bëmë punën tonë. Duhet të përmirësohemi akoma më shumë, të punojmë akoma më shumë duke ia lehtësuar punën trajnerit me disiplinë dhe profesionalizëm. Përpara na presin ndeshje akoma më të vështira se kjo dhe ne duhet të jemi gati për çfarëdo lloj situate. Objektivi kryesor është që Kombëtarja shqiptare të ruajë emrin e respektuar që ka krijuar në nivele të larta. Në futboll çdo gjë është e mundur dhe këtë gjë e provoi mjaft mirë edhe pjesëmarrja jonë në EURO 2016.