Ansi Agolli është kthyer përsëri te vendi ku për shumë vite ishte një nga idhujt e tifozerisë. Ish-mbrojtësi i majtë i përfaqësueses shqiptare, është kthyer këto ditë pas shumë kohësh në Azerbajxhan, më saktësisht në Baku, qytet ku jetoi në vitet ku luajti me skuadrën e Karabak me të cilën u përfaqësua në nivelet më të larta të futbollit europian për klube.

Por kjo ishte një vizitë ndryshe për ish-futbollistin, i cili tashmë shkon atje me petkun e një drejtuesi. Agolli ka krijuar një akademi në SHBA, ku jeton tashmë me familjen e tij dhe kjo vizitë në Baku, ka qenë jo thejsht për nostalgji.

Ai ka takuar drejtuesit e Karabak, për të lidhur me ta marrëveshje bashkëpunimi me akdeminë e tij.Kështu, për Agollin ka nisur një etapë e re e karrierës, në të cilën ai po mundohet të jetë po aq i suksesshëm sa ka qenë në fushën e lojës.

Për ta bërë një gjë të tillë, Agolli po shfrytëzon të gjitha lidhjet që ka krijuar në vite dhe Karabaku ka qenë ndalesa më e suksesshme e karrierës së tij.