Durrës, 24 maj 2014 – Për lojtarët, Teuta nuk është skuadër me të cilën mund të divorcohesh lehtë. Thuajse të gjithë lojtarët që kanë mbrojtur ngjyrat e skuadrës durrsake e kanë të vështirë për t’u ndarë nga ky ekip.
Janë të shumtë ata që u ka mbaruar kontrata me Teutën, por asnjë prej tyre nuk ka dëshirë të shkëputet. Mesfushori Ansi Nika, është një prej lojtarëve që i ka përfunduar kontrata dhe pret rinovimin me Teutën.
“Kam disa sezone që luaj me Teutën dhe jam shumë i kënaqur me trajtimin e skuadrës. Më ka përfunduar kontrata dhe shpresoj të firmos sërish për durrsakët. Të gjithë lojtarët që kalojnë nga Teuta e kanë shumë të vështirë për t’u shkëputur. Këtu punohet me pasion dhe dëshirë të madhe dhe nuk ka presion psikologjik. Teuta është një skuadër profesioniste dhe jam krenar që kam qenë pjesë e saj. Shpresoj të jem edhe për sezonin tjetër pjesë e këtij klubi”,-u shpreh shkodrani, i cili pritet të bisedojë me presidentin Hasanbelliu.
“Ky sezon ishte i dështuar për ne, pasi nuk arritëm asnjë prej objektivave që synonim. Kishim një skuadër mjaft të mirë, por nuk morëm rezultatet e duhura. Zhvilluam ndeshje të përsosura, por kjo nuk mjaftoi dhe tashmë ndihemi ekip i thjeshtë. Nuk jemi mësuar të qëndrojmë jashtë Europe, por këtë faturë e kemi hak për ta paguar, në mënyrë që të mësojmë për të ardhmen. Jam i bindur se Teuta do të kthehet më e fortë se kurrë në edicionin e ardhshëm, ku dhe do të ketë objektiva madhorë”,- përfundoi mesfushori Ansi Nika.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





