26shtator 2015 – Me antiplumb e kokore në kokë shkoi sot në Gjykatën e Laçit i akuzuari për vrasjen në Mamurras mesditën e së mërkurës. Enrik Mamli bashkë me të akuzuarit e tjerë do të qëndrojë në burg. Ai u dërgua në godinë super i mbrojtur, për të shmangur ndonjë reagim nga pala e dëmtuar.
Gjatë seancës gjyqësore, me dyer të mbyllura prokurori i çështjes Shkelzen Cena, mësohet të ketë lexuar para të akuzuarit dhe gjykates të gjithë dinamiken e ngjarjes.
Në bazë të provave të mbledhura dhe dëshmive të grumbulluara nga oficeret e policisë gjyqësore në dosjen e organit të akuzes thuhet se në momentin kur mjeti me të cilin po lëvizte Enrik Mamli është goditur nga pas nga mjeti me të cilin lëvizte Naim Tafa së bashku me Gentjan Elezin dhe Taulant Bebri (Arjan Tafa) dhe më pas ata kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të tij.
Pas këtij momenti Enrik Mamli ju është kundërpërgjigjur me breshëri automatiku në drejtim të mjetit të tyre, dhe për pasoje mbeti i vdekur Naim Tafa si dhe u plagosen dhe 4 persona të tjerë mes tyre dhe dy kalimtarë të rastësishëm.
Vetë i akuzuari për këtë ngjarje Enrik Mamli mësohet të mos ketë folur asnjë fjalë para togave të zeza, ndërsa nuk ka pasur as avokat mbrojtës. Gjithashtu pranë ambienteve të gjykatës nuk ka pasur asnjë nga familjarë të tij.
Ngjarja sipas policisë erdhi për shkak të pazareve të bëra në Itali, me trafikun e prostitucionit.
/portali DurresLajm/