12 mars 2015 – Protesta e PD-së u mbyll në mënyrë paqësore, pavarësisht se Policia e Shtetit kishte parashikuar se protesta mund të shoqërohej me dhunë. Me mijëra persona vërshuan në bulevard në një nga protestat më të mëdha të kësaj force politike.
Por, ndërkohë që para Kryeministrisë mbështetësit e opozitës protestonin kundër qeverisë dhe kërkonin dorëheqjen e Metës, para selisë së LSI-së janë mbledhur qindra militantë të saj. Ata qëndrojnë atyre prej më shumë se katër orësh, për të mbështetur moralisht kreun e tyre Ilir Meta.
Drejtuesit e LSI-së e kanë quajtur këtë një reagim spontan të mbështetësve të saj, të cilëve u kanë bërë thirrje për qetësi e maturi.
Para tyre ka mbajtur një fjalim të shkurtër edhe deputeti i LSI-së Luan Rama, i cili shprehu besimin te Prokuroria, se kjo e fundit do ta zbardhë të gjithë çështjen “Doshi”, dhe deklaroi se Shqipëria nuk është peng i banditëve.
“Në emër të LSI-së ju falënderoj të gjithëve për solidaritetin njerëzor dhe qytetar si shenjë e emancipimit dhe vendosmërisë së madhe për të ecur përpara për ndërtimin e Shqipërisë europiane. LSI-ja është e vendosur të ecë përpara për të bërë Shqipërinë Europiane, pa u trembur nga askush, por duke i treguar vendin cilitdo që bën pakt me krimin apo është peng i krimit.
Shqipëria e 2015-ës nuk mund të qëndrojë më peng as e bandave dhe as e banditëve, as e fallcifikatorëve dhe as manipulatorëve. Ky solidaritet shembullor, kjo ndjenjë uniteti që demonstroni sot të na bëjë të ecim më me forcë përpara. Ne kemi një sfidë, sfida jonë është Shqipëria Europiane. Që të bëhet e tillë ka nevojë për qytetarë europianë. LSI-ja dhe Shqipëria janë një, Shqipëria dhe Europa janë një. Forcën dhe vendosmërinë ta demostrojmë çdo ditë duke punuar për Shqipërinë dhe në zgjedhjet e afërme për t’u dhënë përgjigje të gjithë atyre që janë kundër Integrimit Europian të vendit. Përpara për fitoren e radhës, nuk është faji ynë që të tjerët tremben nga rritja e LSI-së, solidariteti dhe vendosmëria e LSI-së për të zbatuar ligjin”, deklaroi Luan Rama para simpatizantëve të LSI-së.
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





