Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës Enea Karakaçi, gjatë fjalës së tij, në prezantimin e vendimeve të marra në mbledhje qeverie sot në 11 mars, komentoi ndër të tjera edhe anulimin e tenderit për ndërtimin e Porto Romanos, pasi është tërhequr ofertuesi i vetëm në këtë garë.

Karakaçi u shpreh se kemi një tërheqje të ofertuesit në garë, duke shtuar se arsyeja është krejtësisht ekonomike. Ministri shtoi se Komisioni do të vijojë me procedurën.

Karakaçi nënvizoi se kryeministri Rama vetë u shpreh në lidhje me projektin e Porto Romanos, teksa deklaroi se ka aktorë që po përpiqen ta frenojnë dhe sabotojnë.

“Është bërë edhe publike që ka dalë në disa media, tërheqja e ofertuesit në këtë garë. Po, kemi një tërheqje të ofertuesit të vetëm, me një arsye krejtësisht ekonomike, duke qenë se për shkak të rritjes së kostove dhe efekteve të krizës. Kontraktori ka bërë një tërheqje, gjë të cilën Komisioni do vijojë me procedurën. Dua të rikujtoj faktin se edhe kryeministri u shpreh mbi projektin, e tha që ka aktorë që përpiqen ta frenojnë dhe ta sabotojnë”, u shpreh ministri Enea Karakaçi, duke shtuar se “do ndërtohet një skenar tjetër”.

Gjithashtu, Karakaçi prezantoi edhe katër nisma të Ministrisë të Infrastrukturës dhe të Energjisë.

Sistemi i kanalizimeve për Durrësin, Spitallë, Shkozet, Porto Romano, 67 milion euro
“Trajtojmë ujërat e ndotur në impiant. Ujërat e shiut po ashtu do të trajtohen përmes tij”,
tha ministri Enea Karakaçi.

Sa i përket hekurudhës Tiranë-Durrës: 11.7mln euro do të merren hua nga Banka Gjermane e Zhvillimit:
“Do të elektrifikohet, për zero emetime të karbonit. Së dyti, mund të vijohet edhe me përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe i jep zgjidhje fundore projektit”.