Ambasada e Francës në Kosovë ka dhënë detaje mbi anulimin e vizitës së ish-ministrit francez të Punëve të Jashtme dhe Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së, Bernard Kouchner në vendin tonë.
Siç bëhet e ditur në njoftim, vizita është anuluar për shkak të problemeve logjistike të lidhura me udhëtimin e Kouchner, transmeton Telegrafi.
“Ju informojmë se vizita e ish-ministrit francez të Punëve të Jashtme dhe Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së, Bernard Kouchner në Kosovë, fatkeqësisht është dashur të anulohet për shkak të problemeve logjistike të lidhura me udhëtimin e Dr Kouchner. Ju njoftojmë se vizita e tij do të realizohet në një datë të mëvonshme”, thuhet në njoftim.
Tutje, ambasada e Francës shpreh keqardhje për këtë pengesë dhe falënderon sinqerisht Presidenten, Kryeministrin, Kuvendin e Kosovës, Kryetarin e Prishtinës, Kuvendin komunal dhe të gjithë personalitetet e shoqërisë që pranuan të takohen me Dr Kouchner gjatë vizitës së tij.