Bashkitë e djathta vijojnë aksionin për zbatimin e dekretit të presidentit Ilir Meta për anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Mësohet se kryetari i bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për lirimin e ambjenteve të KZAZ-ve.

"Në zbatim të Dekretit të Presidentit për shfuqizimin e caktimit të datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, i botuar në Fletoren Zyrtare kërkoj nga ana juaj lirimin vullnetar të ambienteve të shkollës "Besëlidhja" deri në orën 16:00 të ditës së martë, datë 18 qershor 2019. 

Gjithashtu ju ritheksoj në vëmendje detyrimin për ndërprerjen e të gjitha veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve në të gjitha ambientet e miratuara Qendër Votimi dhe që janë në pronësi, varësi apo administrim të bashkisë Lezhë", thuhet në shkresën drejtuar KQZ.

Kujtojmë se ky aksion është shoqëruar me përplasje të forta prej dy ditësh mes punonjësve të bashkisë dhe Policisë së Shtetit të Shkodër. Po ashtu përplasje janë regjistruar paraditen e sotme edhe në Tropojë.