Tiranë, 5 gusht 2014 – Federata Shqiptare e Futbollit është detyruar të anulojë zhvillimin e miqësores të përfaqësueses U-21 kundër bashkëmoshatarëve të Katarit më 6 gusht në Skoci. Shkak për këtë anulim të papritur është bërë mospajisja me vizën e hyrjes nga Ambasada Britanike për delegacionin kuqezi, ndonëse sipas FSHF-së, gjithçka është bërë sipas procedurave përkatëse për të marrë pjesë në këtë ndeshje të organizuar nga Federata e Katarit, e cila paguante për udhëtimin dhe akomodimin në Skoci. Menjëherë pas përgjigjes negative nga ana e Ambasadës Britanike, FSHF ka reaguar nëpërmjet një komunikate për mediat, duke treguar edhe etapat e kësaj ngjarjeje të paprecedent.
“Kjo është një ngjarje që Federata Shqiptare e Futbollit e quan të rëndë dhe një incident të paprecedentë. Bëjmë me dije opinionin publik dhe median shqiptare se për këtë ndeshje, prej dy muajsh Federata e Shqiptare e Futbollit, ka vlerësuar me seriozitetin më të lartë, këtë event dhe procedurat përkatëse, duke përgatitur lista me kandidatë dhe duke plotësuar të gjithë dokumentacionin përkatës. Aplikimi është kryer nëpërmjet agjencisë ‘Teleperformancë’ (autorizuar zyrtarisht për këto çështje nga Ambasada Angleze në Poloni) më datë 22 dhe 23 korrik. Janë dorëzuar të gjitha dokumentet përkatëse për aktivitetin financiar nga fluturimi, akomodimi, transporti lokal dhe gjithçka tjetër, që ishin të mbuluara. Regjimi i kërkuar i vizave ishte ‘priority’. Sot (dje) më datë 4 gusht, ekipi priste që të merrte vizat dhe të nisej për në Skoci, por përgjigjja e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, ishte një refuzim i papritur sidomos ‘për arsye financiare!’, pavarësisht dokumentacionit të plotë e të dorëzuar në afat”, shkruhet në deklaratën e FSHF-së.
Kjo e fundit, më pas, i ka kërkuar edhe shtetit shqiptar që të reagojë, për të mësuar se pse ka ardhur ky refuzim i vizave nga ana e Ambasadës Britanike. “FSHF garanton opinionin se duke filluar nga sot, ajo ka vënë në dijeni të gjitha organizmat e fuqishme të futbollit europian dhe botëror (FIFA dhe UEFA) si edhe Federatën Angleze në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, që cenon zhvillimin e futbollit dhe pengon ecurinë e ekipeve tona kombëtare, si dhe bashkëpunimin me federatat e tjera. Gjithashtu, ajo i bën me dije Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, që të kërkojë nëpërmjet kanaleve të saj diplomatike shpjegime në lidhje me këtë incident, që cenon mjaft performancën e Ekipeve Kombëtare Shqiptare, punën e FSHF-së dhe gjithë imazhin shqiptar në botë”, shkruhet në komunikatën e lëshuar nga institucioni që drejton futbollin shqiptar.
FSHF i kishte dhënë një rëndësi të veçantë kësaj ndeshjeje miqësore kundër Katarit, edhe për faktin se në radhët e përfaqësueses U-21 ishin ftuar për herë të parë disa lojtarë të talentuar shqiptarë që aktivizohen në klube të njohura në Europë. Leart Paçarada (SV Sandhausen), Dreni Hoxha (Shalke), Valmir Sulejmani (Hanover) dhe Mërgim Vojvoda (Standard Liezh), ishin futbollistët që trajneri Skënder Gega kishte ftuar për këtë ndeshje miqësore, ndërsa mendohej që pas saj të fillonte menjëherë pajisja e tyre me pasaportën shqiptare.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





