·         Vendimi pasoi njoftimet për bojkotim nga presidentët e Shqipërisë dhe të Kroacisë, të cilët nuk janë pajtuar me mospërfshirjen e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga

SHKUP, 29 maj 2013 –Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, anuloi sot takimin e lartë të udhëheqësve të shteteve të nismës së Bashkëpunimit të Evropës Jug-lindore që ishte planifikuar të mbahej në Ohër të Maqedonisë këtë fundjavë.

Vendimi për anulimin e takimit pasoi njoftimet se ai do të bojkotohet nga presidentët e Shqipërisë dhe të Kroacisë, të cilët nuk janë pajtuar me mospërfshirjen e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Më herët gjatë ditës ketë vendim e publikoi presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç. Në një njoftim të zyrës së presidentit kroat thuhet se, qëllimi i takimeve rajonale tubimeve rajonale është bashkëpunimi dhe përfshirja e të gjithëve nga rajoni në këtë bashkëpunim.

“Kroacia mbetet e përkushtuar ndaj politikës së bashkëpunimit rajonal, solidarizimit dhe mbështetjes së plotë për të gjitha vendet e rajonit dhe përpjekjeve të tyre për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Të hënën presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, njoftoi se nuk do të marrë pjesë në takim. Shkak për këtë vendim është bërë fakti që Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga nuk është ftuar të marrë pjesë “në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit dhe të dialogut që mbizotëron në rajon”, thuhet në një njoftim të presidencës së Shqipërisë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka marrë ftesë nga organizatori i Samitit në Ohër. Në një deklaratë të zyrës së zonjës Jahjaga thuhet se:

“Pjesëmarrja e Kosovës është pamundësuar për shkak të kundërshtimeve nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina dhe kjo bie në kundërshtim me parimin e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, si parakusht i integrimeve evropiane. Përfaqësimi i Kosovës në çdo nismë rajonale dhe ndërkombëtare bëhet mbi bazën e barabarësisë dhe është në frymën e respektimit të subjektivitetit dhe pavarësisë së secilit shtet”.

Në deklaratë thuhet se Kosova është dëshmuar si një faktor paqeje në Ballkanin Perëndimor dhe po kontribuon në qëndrueshmërinë dhe sigurinë e gjithë rajonit.

“Ajo ka ndërtuar politika të fqinjësisë së mirë dhe të respektimit të ndërsjellë dhe përfshirja e saj në nismat rajonale do të ndihmonte në tejkalimin e dallimeve dhe pasojave të së kaluarës. Pengesat e paraqitura nga pala e tretë për pjesëmarrjen e saj në këto nisma janë në kundërshtim me marrëveshjen e arritur në Bruksel, me të cilën asnjëra palë nuk do të pengojë dhe as të inkurajojë dikë tjetër që të bllokojë përparimin në rrugën e integrimeve”.

/Zëri i Amerikës/