Pas një pauze të gjatë nga skena, Anxhela Peristeri është rikthyer, e me sa duket këtë herë me ambicie të mëdha. Veç këngëve e videoklipeve që sjell herë pas here, këngëtarja është shfaqur në ekranin e vogël në një nga spektaklet më të komentuar “Your Face Sound Familiar”, formati i të cilit i sillte artistët nën petkun e yjeve më të famshëm botërorë. Edhe pse gjatë javëve ka punuar në heshtje e pa shumë “zhurmë”, Anxhela ia arriti që mbrëmjen e së hënës së shkuar të ngrinte kupën e fitores së këtij spektakli. “Nuk e prisja. Mendoja se të gjithë aty kanë dhënë maksimumin dhe nuk e dija kush mund të ishte fituesi”, tregon këngëtarja në këtë intervistë për “Bluetooth”, ndërsa zbulon edhe reagimet e kolegëve pas fitores.

Anxhela je fituesja e edicionit të parë të “Your Face Sound Familiar”. Je e lumtur, e prisje?

Jam shumë e kënaqur dhe nuk e prisja.

Pse? Mendoje se kishte konkurrentë të tjerë më të fortë?

Mendoja se të gjithë aty kanë dhënë maksimumin dhe nuk e dija kush mund të ishte fituesi.

Si reaguan kolegët, të uruan apo u ndjenë xhelozë?

Më kanë komplimentuar të gjithë dhe kemi festuar së bashku deri në orët e para të mëngjesit.

Gjatë të gjithë spektaklit, sa herë ke dalë fituesja e mbrëmjes?

Gjithsej tre herë, dy prej tyre kam qenë fituesja e mbrëmjes dhe të tretën që mora çmimin e madh.

Cila nga performancat ka qenë më e veçanta për ty?

Andrea Boçelli, Pink dhe Ana Visi më kanë kënaqur më shumë. Faktikisht të gjitha më kanë kënaqur.

Cila prej tyre ka qenë më shumë në karakterin tënd?

Ana Vissi dhe Christina Aguilera kanë qenë më shumë në karakterin tim.

Si do ta përshkruaje me tre fjalë këtë përvojë?

Fantastike, e veçantë dhe frytdhënëse.

Në Shqipëri organizohen shumë spektakle të tilla, kryesisht kërcimi. Planifikon të bëhesh pjesë e ndonjërit prej tyre? Ke marrë ofertë?

Jo, nuk guxoj sepse nuk para kërcej. Tek ky edicion pranova sepse ishte profili im në të kënduar.

Çmimi ishte vetëm simbolik apo edhe vlerë monetare?

‘No comment’. Paratë dhe mëkatet asnjëherë nuk tregohen.

Çfarë ndodhte në prapaskenat e spektaklit? Je konfliktuar ndonjëherë me kolegët?

Në përgjithësi jam natyrë e qetë dhe asnjëherë nuk kam pasur konflikte. Nëse e keni vënë re edhe në kamerat e fshehta nuk isha fare.

Çfarë planesh ke sa i takon muzikës?

Në korrik do të publikoj këngën time të re në bashkëpunim me Gold AG.

Bëhet fjalë për një këngë hip-hop?

Jo, është regaton ballkanik.

Jeta private? Është Angela e dashuruar?

Jeta private është private, megjithatë fansat e mi duhet ta dinë që unë jam e lirë.

Çfarë ndodhi, pasi thuhej se ke bashkëjetuar me të dashurin?

Jo. Unë jetoj me prindërit e mi dhe me vëllain, jetojmë të gjithë bashkë.

Je në kërkim të dashurisë?

Jo, nuk jam. Jam e fokusuar tek koncertet, tek karriera sepse më duhet një ringritje pas mungesës së gjatë që kam pasur.

Mashkulli ideal duhet të jetë pjesë e artit, apo nuk është kriter?

Nuk e di se cili mund të jetë mashkulli ideal. Kur të vijë… Nuk ka rëndësi çfarë bën, mjafton të më përmbushte mua si

njeri.

Je materialiste?

Edhe nëse do të isha do thosha që jam? Jo, nuk jam materialiste.

Kohëve të fundit trendi është që këngëtaret preferojnë biznesmenët dhe politikanët. Ti çfarë mendimi ke për këtë?

Secili ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë, unë nuk kam qenë ndonjëherë materialiste, pasi gjithmonë kam pasur ekonominë time dhe nuk ia kam pasur nevojën askujt. Jam e pavarur./Bluetooth