Shoqëria Ornitologjike Shqiptare (AOS) për ruajtjen e Zogjve dhe habitatet e tyre kritike në Shqipëri ka denoncuar plagosjen e një shqiponje mali.
Ata shkruajnë në rrjetet sociale se shpendi që u gjet në Skrapar, ishte i plagosur dhe i paaftë për fluturim.
Sipas tyre, kemi të bëjmë me një viktimë të pastër të brakonazhit me qëllim tregtinë e paligjshme të kafshëve të egra.
Postimi i plotë:
Pak ditë më parë, stafi i ADZM Berat informoi mbi gjetjen e një shqiponje të malit në Skrapar e cila më pas u përcoll prej tyre në Qendrën e Rehabilitimit të Shpendëve të Egër në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Analiza grafike e kryer nga ADZM Fier, konfirmoi dyshimet se shpendi ishte i plagosur dhe i paaftë për fluturim. Grafia tregoi se trupi i Shqiponjës së Malit ishte i mbushur me saçme ndërsa krahu i djathtë rezulton i thyer. Me shumë mundësi shpendi është qëlluar për tu kapur e përdorur si objekt tregtie. Pra, kemi të bëjmë me një viktimë të pastër të brakonazhit me qëllim tregtinë e paligjshme të kafshëve të egra. Që të dy veprimet janë rreptësisht të ndaluara dhe duhet të penalizohen.
Shqiponja e malit, ky simbol kombëtar, shpend madhështor i maleve tona, është pikërisht ai që na jep krenarinë dhe identitetin kombëtar. Ndaj ky rast i goditjes apo i tregtimit të Shqiponjës së malit saj nuk është thjesht një vrasje apo tregti tjetër që duhet kaluar në heshtje. Është vrasje dhe përdhosje e simbolit tonë kombëtar ndaj dhe duhet që autoritetet përgjegjëse ta marrin rastin tepër serizosht dhe ta hetojnë sikurse hetohet cdo krim i rëndë.
Ky krim është akoma më i rëndë se çka paraqitet nëse marrim parasysh se në 20 vitet e fundit, popullata e Shqiponjës së malit ka pësuar rënie drastike. Nëse në fillimin e viteve 2000, BirdLife International raporton 50-150 çifte të Shqiponjës së malit, Atlasi i Shpendëve Folezues të Europës raporton në 2020 për vetëm 25-63 çifte folezues.