Nën moton “Më shpejt, Më lart, Më fort, Së bashku”, Akademia Olimpike Shqiptare (AOSH), ka organizuar këtë të dielë “Ditën Olimpike” në një nga resortet ku janë strehuar refugjatët afganë në Golem.
Qëllimi i këtij aktiviteti, i mbështetur nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të qytetit të Durrësit, është solidarizimi dhe krijimi i një klime miqësore, veçanërisht me fëmijët afganë.
Presidenti i KOKSH-së, Fidel Ylli u shpreh për refugjatët afganë se janë të mirëpritur të qëndrojnë edhe në Shqipëri, pasi synimi i tyre janë shetet perëndimore.
“Sido që ju keni dëshirë për të vajtur në vendet e BE-së, Amerikë, Kanada, Zvicër dhe kudo, jeni të mirëpritur të rrini dhe në Shqipëri dhe ne të tregojmë mirënjohjen tonë, ngrohtësinë tonë që ju të keni mundësinë që të rrisni fëmijët tuaj në këtë vend të begatë me kushte mjaft të mira”,– tha Ylli.
Pas rimarrjes së pushtetit nga talebanët në Afganistan, qindra mijëra afganë që bashkëpunuan me forcat perëndimore gjatë 20 viteve të fundit u larguan nga vendi.
Deri tani në vendin tonë kanë mbërritur 607 afganë dhe janë strehuar në Qytetin e Studentit në Tiranë dhe në resortet turistike në Durrës.