Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë sot në “sitë” kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja për verifikimin e pasurisë dhe aftësive profesionale. Seanca e KPK ka nisur prej orës 10:00 me trupë të përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine, ndërsa Dedja përfaqësohet nga avokati mbrojtës, Maks Haxhia.
Sa i takon pasurive, Dedja ka deklaruar pranë ILDKP se zotëron një apartament 146 m2 dhe garazh 15.24 m2 me vlerë 180 mijë euro në Tiranë. Burimi i deklaruar ka qenë një kredi bankare prej 120 mijë euro me afat shlyerje 20 vjet, 15 mijë euro hua nga vëllai dhe 10 mijë euro nga kunati si dhe 35 mijë euro të ardhura personale nga ai e bashkëshortja. Huaja e marrë nga kunati është e shoqëruar nga një kontratë noteriale, ndërsa për 15 miijë eurot që pretendon se ai ka dhënë i vëllai nuk ekziston asnjë dokument shoqërues. Dedja pretendon se paratë ia ka marrë të atit të kunatit, pasi ky i fundit nuk ka qenë prezent në Shqipëri, çka bën që aftësia e kunatit të cilësohet me mangësi ligjore.
Por pikëpyetje ka edhe për aftësinë paguese të të vëllait i cili jeton dhe punon në Greqi. Sipas materialeve të referuara nga ILDKPI vëllai i kreut të Kushtetueses kur i ka dhënë 15 mijë euro kë blerë vetë shtëpi me vlerë 45 mijë euro si dhe ka marrë një kredi 25 mijë euro.
I paqartë është edhe burimi i një apartamenti tjetër në zonën e Golemit. Në 2003 u deklarua me 50% pjesë tatuese, ndërsa më pas u deklarua 100%. Apartamenti është në pronësi të të vëllait, Latif Dedja, por në përdorim nga Bashkim Dedja, pasi nga hetimi rezulton se kontrata e dritave ishte në emër të kreut të Kushtetueses. Nuk sqarohet pse kjo kontratë është në emër të subjektit.
Nga analizat ekonomike nuk ka pasur mundësi për të paguar këstin e parë të apartamentit në vitit 1997. Ndërsa nga ekspertimi i pasurisë së vellait, nuk janë marrë në konsideratë shpenzimet dhe ka rezultuar se kishte mangësi.
Maks Haxhia: Bashkim Dedja justifikon pasurinë, të rikonfirmohet në detyrë
Ndërkohë, avokati mbrojtës, Maks Haxhia tha se Dedja justifikon të ardhurat për blerjen e apartamenteve. Sipas tij, apartamenti në Durrës u ble nga i vëllai, me të ardhurat nga blegtoria, bletaria dhe pemtaria, të ardhura të larta. Haxhia i kërkoi trupës së KPK rikonfirmimin e Bashkim Dedjas në detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese.
Gjithashtu, Bashkim Dedja disponon edhe tokë arë prej 2 mijë metra katrorë në Dibër, e cila sipas ILDKP është e justifikuar. Në lidhje me pastërtinë e figurës subjekti është i pastër. Pas seancës dëgjimore, KPK është tërhequr për vendim i cili do të bëhet publik në datën 13 qershor ora 09:30.
Besnik Dizdari i fundit i Kushtetueses në Vetting
Ndërkohë që pritet vendimi i KPK për Bashkim Dedjan, pasuria e të cilit rezulton me pikëpyetje, më herët nga Gjykata Kushtetuese u shkarkuan për mosjustifikim të pasurive, anëtarët Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha, ndërsa ka dhënë dorëheqje Besnik Imeraj përpara nisjes së procesit. Ndërsa i fundit që ka mbetur pa kaluar në "filtra" është Besnik Dizdari.
E vetmja që e kaloi me sukses Vettingun, duke justifikuar pasuritë si dhe mori 'Ok'-in nga KPK për aftësitë profesionale, ishte anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha. Aktualisht Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit për shkak të vakancës, por kjo nuk e ka penguar KPK-në të vijojë me Vettingun në radhët më të larta të gjyqësorit. Funksionimi i Kushtetues është i paralizuar prej një kohe të gjatë, pasi aktualisht ka vetëm dy anëtarë, Vitore Tushën dhe Besnik Dizdarin.





