Bashkia e Durrësit ka paralajmëruar se do të pezullohet vazhdimi i ndërtimit të apartamenteve sociale. Sinjali ka ardhur disa ditë më parë nga nënkryetari i bashkisë Ardian Çela. Çështja duket shumë serioze pasi bashkia ka pretenduar se shmangia nga përmbushja e disa detyrimeve paraprake për kujdestarinë ndaj apartamenteve të cilat tashmë kanë përfunduar, do të vërë në rrezik investimin e mëtejshëm fondet e të cilit mund të digjen përgjithnjë. Në deklarimit e tij nënkryetari Çela ka bërë të ditur se tre javë para mbylljes së vitit 2011 në një nga pikat e rendit të ditës është kërkuar në këshillin bashkiak miratimi i strukturës administrative për menaxhimin e apartamenteve të ndërtuara me fondet e Ministrisë së Financës dhe bashkisë së Durrësit, apartamente të cilat u jepen përfituesve kundrejt likuidimit të përmuajshëm të një qiraje. “Sot kjo çështje ka ngecur në tavolinën e institucionit të prefektit të Durrësit i cili duhet të japë sa më parë zgjidhje për të mos u bërë pengesë në zhbllokimin e fondit tjetër për banesat sociale”, -ka thënë nënkryetari i bashkisë së Durrësit Ardian Çela. Ky i fundit pohon se krijimi i kësaj strukture nuk është bërë në sajë të ndonjë kërkese të mirëfilltë nga bashkia. “Nuk është kërkesë e administratës sonë por e vetë projektit të firmosur katër vite më parë nga bashkia e Durrësit dhe Ministria e Financës për ndërtimin e 343 apartamenteve”, -ka sqaruar Çela për gazetën “Dyrrah”. Fillimisht është kërkuar në mënyrë emergjente miratimi nga këshilli bashkiak i administratës së vogël prej tre personash të cilët do të jenë edhe kujdestarët për 126 apartamentet e përfunduara dhe që janë në shfrytëzim nga përfituesit. Bashkia parashikon strukturë të veçantë, jashtë administratës së saj. Këta punonjës do të mbledhin qiranë për çdo apartament, do të firmosin librezat, do të interesohen për shërbimet e ndryshme që kanë shkallët dhe apartamentet për meremetime, ujë të pijshëm, energji, gaz etj. Në bazë të projektit që ka marrë udhë katër vite më parë, parashikohet që të ketë një kujdestar, një jurist, një ekonomist dhe një përgjegjës për çdo 50 apartamente. Kjo administratë e vogël nuk do të marrë asnjë fond nga bashkia apo buxheti i shtetit. Çela bën të ditur se ata do të paguhen në sajë të vjeljes së qerasë së banesës. Fillimisht është kërkuar miratim në këshillin e bashkisë për tre kujdestarë që do të kryejnë menaxhimin për 126 apartamentet e shpërndara. Bashkia ka paralajmëruar djegien e fondit të mbetur për 217 apartamentet e tjera të cilat rrezikojnë të mos ndërtohen. Prefektura ende nuk ka dhënë ndonjë deklarim zyrtar lidhur me sa është pretenduar nga bashkia. Institucioni i prefektit, enkas juristët e prefekturës, do të duhet të vendosin nëse propozimi për ngritjen e strukturës së menaxhimit të banesave sociale fitoi shumicën e votave të këshilltarëve të pranishëm apo jo. Bashkia pretendon se ka pamjet filmike për të mbrojtur pohimet e veta, ndërsa nga ana tjetër ka “kërcënuar” se në rast mospëlqimi nga prefektura, ajo do të djegë fondet për ndërtimin e 217 apartamenteve të mbetura nga i gjithë projekti.

 

Rrezikohet të bllokohet procesi i ndërtimit të 217 apartamenteve të reja gjatë vitit 2011, pas mosmarrëveshjeve për miratimin e i strukturës administrative për menaxhimin e apartamenteve të ndërtuara me fondet e Ministrisë së Financës dhe bashkisë së Durrësit. Adrian Çela: Çështja ka ngelur në tryezën e prefektit

Marrëveshja, paratë nga BZHKE dhe Bashkia e Durrësit

Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës i ka dhënë 15 milion euro kredi qeverisë shqiptare. Qeveria, nisur nga aplikimi që ka bërë bashkia e Durrësit për ndërtimin me hua të banesave sociale i ka akorduar kësaj të fundit 3.341.410 euro për realizimin e projektit. Kësaj shume bashkia do t’i bashkangjiste edhe 146.933.712 lekë në respektim të marrëveshjes së nënshkruar në kuadër të projektit “Ndërtimi i banesave me qëllim social”. Marrëveshja ka përfunduar me nënshkrimin mes palëve duke i hapur dritën jeshile ndërtimit të pallateve të para për këtë qëllim. Fill pas të drejtës së përfituar për të marrë nga qeveria shqiptare afro 3.4 milion euro për banesat sociale,  bashkia ka vënë në dispozicion truallin me numër pasurie 5/603 në rrugën “Dalip Tabaku” në lagjen numër 14 të Durrësit.  Në këtë lagje ka nisur të krijohet një kompleks me banesa të cilat do të kenë edhe infrastrukturë tjetër të përshtatshme si lulishte, ndriçim, trotuare, parkingje, kënde lojërash për fëmijë etj. Më pas bashkia gjeti një tjetër sipërfaqe të lirë, në hyrje të qytetit, jo shumë larg nga Ura Dajlanit duke nisur në këtë mënyrë edhe ndërtimin në seri të pallateve. Marrëveshja e huasë mes qeverisë së përfaqësuar nga Ministria e Financës dhe bashkisë së Durrësit në cilësinë e huamarrësit është nënshkruar me datë 13 shkurt 2008. 

 

15 milionë euro kredi i ka dhënë Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës qeverisë shqiptare për banesat sociale. Bashkia e Durrësit ka përfituar 3.341.410 euro për realizimin e plotë të projektit

126 banesa janë shpërndarë në vitet e kaluara për qytetarët durrsakë, të cilët janë të detyruar të paguajnë një qira për përdorimin e tyre. Nga këto të ardhura do paguhet dhe mirëmbajtja e administrimi

217 apartamente llogaritet të ndërtohen gjatë vitit 2011 nga Bashkia e Durrësit, të destinuar për qëllim social. Banesat sociale kanë për qëllim të zbusin gjendjen e të pastrehëve në qytetin bregdetar