5 tetor 2013 – Edicioni i ri i “Apartamentit 2 XL” nis nesër në mbrëmje në ekranin e “Vizion Plus”, me aktorët e përhershëm dhe të tjerë të rinj. Lisa Kujofsa do të mungojë në këtë sezon të ri të spektaklit të humorit, pasi ka lënë Shqipërinë për të jetuar në Itali. Ndërkohë që trupës së aktorëve të këtij “show” i shtohet Xheni Hallulli, aktorja që është bërë e njohur në spektaklin “Portokalli”. Producenti i show-t, Turjan Hyska, pohoi se mendoi ta bënte pjesë të “Apartamentit 2XL” Xhenin pasi i pëlqen si aktore. “Do të kemi një spektakël shumë të bukur këtë vit, pasi është zgjeruar trupa me aktorë të rinj”, tha Turi për gazetën “Panorama”. 

Edhe këtë sezon aktorët Julain Deda, Gentian Zenelaj, Albano Bogdo etj. do të improvizojnë situata humori nga më të ndryshmet. Pjesë e rëndësishme e spektaklit janë të fttuarit VIP, të cilët pranojnë të bëjnë në skenë atë çfarë nuk e bëjnë në profesionet e tyre. Produksioni ka premtuar se këtë herë në listën e ftuarve janë politikanët ndërkombëtarë. Gjithsesi, të shohim se cili do të jetë politikani, të cilit aktorët do i bëjnë ftesën e tyre tradicionale me një këngë në fund të çdo nate spektakli.