DURRËS, 14 mars 2014 –  Sikurse bëhet e ditur nga BE-ja, në fillim muajit prill 2014 në kryeqytetin shqiptar është planifikuar të zhvillojë punimet konferenca e parë ndërkombëtare, që synon të shqyrtojë menaxhimin e ndotjes mjedisore në portet detare dhe zonat bregdetare, duke u përqendruar veçanërisht në fushat shkencore të biologjisë detare dhe ekologjisë në vendet e projektit Ten Ecoport.

Projekti është pjesë e Programit të Evropës Juglindore për Bashkëpunim Trans-kombëtar.

Konferenca e parë ndërkombëtare “Zhvillimi i qëndrueshëm i korridoreve detare dhe ujërave bregdetare” (Sustainable Development of Sea-Corridors and Coastal Waters), që do të mbahet më 3 prill 2014 në Tiranë, bashkorganizohet nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Autoriteti Portual Durrës, me mbështetjen e Institutit Kombëtar të Hidrologjisë dhe Meteorologjisë së Akademisë Bullgare të Shkencave.

Parashikohet të marrin pjesë autoritete portuale, kompani detare, furnizues të shërbimeve dhe pajisjeve portuale, institute kërkimore-shkencore, kompani konsulence dhe OJQ.

Projekti Ten Ecoport financohet me 2.3 milionë  euro nga Programi i Evropës Juglindore dhe përfshin Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Malin e Zi, Kroacinë, Shqipërinë dhe Italinë.

Portet e Durrësit dhe Barit (Itali) janë porte pilot.

Si rezultat i takimit të zhvilluar më 12 shkurt 2014 midis Autoritetit Portual Durrës dhe partnerëve të projektit Ten Ecoport, u konkludua hartimi i një plan-veprimi të përbashkët me portin e Barit, me qëllim krijimin e një zone ekologjike brenda territorit të portit të Durrësit për mbledhjen e diferencuar të mbetjeve portuale.

Të pranishëm në takimin e zhvilluar ishin partnerët kryesorë të projektit: portet e Gumenicës (Greqi) dhe Barit (Itali), drejtues të Autoritetit Portual Durrës sha, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, Institutit të  Transportit, Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Kapitanerisë, Forcave të Sigurisë, Rojës Bregdetare, Prefekturës së Qarkut Durrës, bashkisë Durrës, ARM-së Durrës, shoqatave mjedisore, operatorëve dhe kontraktuesve të APD-së për çështje mjedisore, etj.

Diskutimet u përqendruan mbi zhvillimin dhe implementimin e menaxhimit mjedisor dhe sistemeve të informacionit, duke përdorur teknologjinë e përshtatshme në lidhje me mjedisin.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/