· Paralajmërohet para emisarëve të Pekinit “dëbimi” i turqve dhe gjermanëve nga porti i Durrësit: pakënaqësi serioze ndaj profesionalizmit të operatorëve privatë, si dhe kontratave të gabuara
· Kinezëve u ofrohen terminali perëndimor dhe ai i ish-kantierit detar si dhe thellimi i portit.
DURRËS, 19 janar 2014 –Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës paralajmëron “dëbimin” e turqve dhe gjermanëve nga porti i Durrësit. Kjo pasi procesi i dhënies me koncesion i tre prej katër terminaleve “është kompromentuar nga interesa dhe veprime të gabuara” dhe “ose do t’i vihen në pozita pune më të mira operatorët ekzistues ose do detyrohen të pranojnë që nuk janë operatorët e duhur, duke u hapur rrugën zgjidhjeve më eficiente”, kjo është deklarata e bujshme e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të kompanisë publike të Autoritetit Portual Durrës para një delegacioni kinez. Pekinit i ofrohen terminali perëndimor dhe ai i ish-kantierit detar dhe thellimi i portit.
Komprometim i koncesioneve
Një delegacioni i ministrisë së Tregtisë së Kinës i kryesuar nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i departamentit për Evropën në Ministrinë e Tregtisë së Kinës Xu Xiaofeng zhvilloi, më 17 janar 2014, një vizitë 2 orësh në mjediset e portit të Durrësit, njofton më 19 janar 2014 zëdhënësja e kompanisë publike të Autoritetit Portual Durrës sha Vilma Hoxha në faqen e kësaj ndërmarrjeje (pasi i ka kërkuar jo për herë të parë ndjesë, me e-mail, “Dyrrah”-ut për “harresën” ndaj tij).
Gjatë takimit, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD sha Selim Belortaja citohet të ketë vënë theksin në organizimin e portit në katër terminale, ku vetëm terminali perëndimor (terminali i mallrave të përgjithshëm) vazhdon të operohet nga administrata publike e portit. Në ekspozenë e tij për portin Belortaja shpjegoi se “kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme strukturore në vitin e fundit, porti i Durrësit që është sot në 2014 nuk është i njëjtë me portin që ka qenë në vitin 2012. Kjo për arsye se tre nga katër terminalet e portit janë dhënë në përdorim përmes kontratave të koncesionit. Pritshmëritë tona nga koncesionet kanë qenë të larta, sepse kemi ndarë logjikën që kompanitë private do të operonin me efiçencë. Fatkeqësisht ne shohim që kjo nuk ka ndodhur ashtu siç pritej dhe kjo ka ndodhur sepse ai proces është kompromentuar nga interesa dhe veprime të gabuara. Kjo ka bërë që ne sot të kemi pakënaqësi serioze në lidhje me profesionalizmin e operatorëve privatë, pakënaqësi serioze në lidhje me cilësinë e kontratave të koncesionit të realizuara, të cilat nuk vijnë nga kundërshtia jonë për privatizimin, por sepse zgjidhjet konkrete janë bërë gabim. Terminali i udhëtarëve i kushton portit sot, më shumë se sa të ardhurat që porti merr prej tij. Sfida jonë e parë sot është ri-analiza e eficiencës së këtij privatizimi, dhe kjo nuk është një gjë negative, përmes kësaj analize ne ose do t’i vëmë në pozita pune më të mira operatorët ekzistues ose do t’i bëjmë të pranojnë që nuk janë operatorët e duhur, duke u hapur rrugën zgjidhjeve më eficiente”.
Ofertat për aziatikët
Ndërkaq Belortaja, me udhëzim nga ministria e Transportit dhe Infrastrukturës u ka ofruar emisarëve të Pekinit dy terminale të lira dhe thellimin e portit të Durrësit: “Ne kemi hapësira të lira bashkëpunimi në dy nga terminalet, terminali i madh perëndimor dhe ish-kantieri detar, një zonë prej 10 hektarësh, të cilat janë zona që presin të zhvillohen dhe të privatizohen. Ndërsa terminali perëndimor është një zonë e zhvilluar tashmë pret t’i dorëzohet një operatori ekspert në fushën e ekonomisë portuale, ish-kantieri detar është i pazhvilluar dhe është i lirë për t’u zhvilluar. Të dy këto pjesë unë i shikoj si mundësi konkrete bashkëpunimi me operatorët strategjikë kinezë. Unë mendoj qe këto janë dy ide në një fazë të papërpunuara si projekt për t’u çuar më tej. Mundësi të tjera investimi kanë pjesëmarrja e fondeve kineze për financimin e punimeve të infrastrukturës, superstrukturës dhe sidomos thellimit të basenit të portit të Durrësit. Kriteri kryesor i financimit kinez nga fondi i bashkëpunimit me Evropën është shumë faktorizimi. Porti i Durrësit është shembulli i një projekti ku u shërben disa kandidatëve. Pra nëse nga fondi kinez do të shërbehemi me një pjesë të financimit për thellimin e akuariumit te portit, ky është një shërbim direkt infrastrukturorë që do t’u shërbejë disa vendeve si Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mal i Zi dhe Bullgarinë”.
Interesi
Kryetari i delegacionit kinez Xu Xiaofeng u shpreh se “në Kinë ka shumë kompani, të cilat kanë shumë dëshirë të investojnë në Shqipëri dhe sidomos në fushën portuale. Ministria e Ekonomisë mbështet sipërmarrësit kinezë të marrin pjesë në projekte me Shqipërinë. Mendoj se në të ardhmen ndërmarrjet dhe institucionet kineze do të kenë interes për të investuar në Shqipëri. Përveç problemeve të cilat ju trajtuat, si problematika me koncesionet, mendoj se ju jeni një port i suksesshëm”. Në delegacion ishin të pranishëm përfaqësues të kompanive kineze, të cilat shprehën interesin e tyre për të investuar në portin e Durrësit. Në fund delegacioni vizitoi terminalin perëndimor.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





