DURRES, 26 maj 2013– Antonela nuk ka mbushur ende tre vjeç. Është motër binjake e Françeskos, por nuk ka zhvillim të njëjtë me të. Të dy kanë lindur para kohe dhe nën peshë, por arritën të mbijetojnë. E përqafuan fort jetën dhe tani janë gëzimi e dhembja e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Vogëlushja vuan nga anomali të lindura në gjymtyrë të cilat i shkaktojnë probleme të theksuara në ecje, dhembje gjatë natës, si dhe një zhvillim jo normal të tyre gjatë procesit të rritjes. Ajo e ndjen ndryshimin nga i vëllai, i cili teksa shfaqesh në derën e tyre pyet: A do t’ia shëroni këmbën motrës? “Po?”- pyet dhe vogëlushja.

Familja Maloku jeton në lagjen nr.8 të qytetit të Durrësit. Prindërit, Nikoleta dhe Eduarti, tregojnë se ndërhyrja pas lindjes do të kishte qenë më mirë, por atëherë për shkak të peshës së vogël dhe qëndrimit të zgjatur në inkubator, vajza ishte e pamundur të përballonte ndërhyrjen, veçanërisht narkozën.

Menjëherë më pas, prindërit nisën ecejaket nëpër spitale dhe mjekë popullorë. Madje arritën t’ia fusnin edhe në allçi këmbën e majtë “për t’ia drejtuar”, një këshillë e gabuar, e dhënë nga një mjek profesionist. Në atë moshë, vogëlushja duhej të ishte trajtuar me këpucë profesionale. Ecejaket e kushtueshme nëpër spitale dhe mjekë, vijuan me një ndërhyrje të kryer në spitalin rajonal të Durrësit.

Ndërhyrja në tendinin e Akilit rezultoi pa sukses. Shumë mjekë i kanë orientuar në Spitalin Ortopedik të Bolonjës, i specializuar për ndërhyrje të kësaj natyre. Të dëshpëruar dhe pa shpresë prindërit e Antonelës së vogël, që përballen edhe me papunësinë, kërkojnë ndihmë publikisht për vajzën.

“Këtu bëhet çdo ditë e më e vështirë, me rrogat e vogla, kushtet aspak të mira dhe mjekët që nuk bëjnë asgjë për humanizëm. Jam regjistruar prej kohësh në Zyrën e Punësimit në Durrës dhe më kanë thënë që kur të kemi mundësi do të marrim në telefon. Po telefoni nuk bie kurrë. I mbaj gjithnjë sytë mbi të. Kam dhënë dhe disa intervista pune. Edhe ata më thonë do të të marrim në telefon, po nuk ndodh.”- tregon babai i Antonelës, Eduarti.

Duke u përballë me bluza të bardha dhe spitale që kërkojnë para për çdo shërbim, qofshin këto dhe spitale publike, ata së bashku me disa shokë e shoqe kanë ndërmarrë nismën “Kam nevojë për ndihmën tuaj” duke besuar te njerëzit, që ashtu si ata përballen me vështirësitë e jetës së përditshme, te humanizmi i tyre, ndërsa shpresojnë dhe në kontribute më të mëdha për ta parë Antonelën të rritet e shëndetshme, si bashkëmoshatarët e saj.

Për të gjithë ata që duan të kontribuojnë prindërit e Antonelës, të cilët mund të kontaktohen në numrin 0697706149, kanë çelur një numër llogarie.

/Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/