Rishikimi i masës së sigurisë “arrest me burg” për dentisten Olesia Duka është shtyrë për në datë 21 mars.

Në seancën e zhvilluar sot në Gjykatën e Apelit në Durrës, në gjykatë kishin mbërritur dy kërkesa për rishikim mase sigurie. Një kërkesë ishte e ish-avokatit të saj mbrojtës i cili nuk kishte prokurë prej Olesia Dukës, për ta përfaqësuar në gjykatën e Apelit, dhe një kërkesë ishte drejtuar në gjykatë personalisht prej saj.  

Në të tilla kushte, gjykata vendosi që seanca e rishikimit të masës së sigurisë të shtyhet për në datë 21 mars. Avokati mbrojtës i cili ka prokurë prej Dukës, Arben Llangozi tha se, mbrojtja në seancën e datës 21 mars do të kërkojë lirimin e saj.

"Në hetim duhet të merren ata që e kanë paditur, për faktin se ku i kanë gjetur aq para për të cilat pretendojnë se ia kanë dhënë klientes time. Do të synojmë që të tregojmë të vëetetën që Olesia Duka është e pafajshme dhe të nisë hetimi për ata që janë denoncuesit e saj për fshehje pasurie," tha Llangozi.