Tre muaj pas arrestimit është liruar nga burgu Durim Keçi. Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, por tre muaj më pas është liruar nga Gjykata e Apelit.
E ndërsa gjykata e Shkallës së Parë e la në burg, Apeli para dy ditësh mësohet se e ka pranuar kërkesën e avokatit mbrojtës të Keçit duke e liruar nga burgu. Mbetet që të shikohen se kush janë argumentet e Gjykatës së Apelit që kanë sjellë lirimin e trafikantit.
Lirimi i Keçit nga burgu u denoncua më herët edhe nga deputeti i PD, Enkeled Alibeaj.
“Durim Keçi, një nga peshqit e krimit, mik i Edi Ramës dhe Blendi Klosit, është liruar nga burgu. Me shumë gjasë, ai nuk do të ekstradohet në Itali, ku është dënuar për trafik drogë dhe prostitucioni. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e paralajmëroi që në tetor se Durim Keçi do t’i shpëtonte drejtësisë, sepse kishte mik kryeministrin Edi Rama dhe i ka shërbyer atij në çdo palë zgjedhje. Në tetor, Lulzim Basha bëri të njohur ekzistencën e tabulateve telefonike të Edi Ramës me Durim Keçin, të cilit i garantoi mosekstradimin. Dhe kështu ndodhi. Reforma në drejtësi u përdor për të çliruar nga drejtësia kriminelët si Keçi dhe të tjerë të fuqishëm, që kërkohen për ekstradim në Itali”, tha Alibeaj.
Keçi është dënuar nga Gjykata e Genovas me 9 vjet e 7 muaj e 22 ditë burg për veprat penale, “Dhunë, kërcënim”, ”Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Trafikim të lëndëve narkotike“, ”Krime me armë kundër personit”, ”Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe” Shfrytëzim prostitucioni”.





