Nëse secili prej nesh do të kthehej me sytë e mendjes rreth 20 vjet më parë do të sillte në kujtesën e tij një imazh tjetër të shëtitores Taulantia (siç emërtohet) ose më mirë Vollgës (siç njihej atëherë). Njerëzit shpeshherë ndjejnë nostalgji për gjërat e kaluara, ato që nuk kthehen dot më, por që lënë kujtime të bukura në mendje. Në ndryshim nga Vollga e rreth dy dekadave më parë ku dominonte gjelbërimi, pemët dekorative, lulishtet, stolat dhe objektet arkeologjike të nxjerra nga nëntoka e Durrësit shëtitorja Taulantia sot të sjell një imazh tjetër ku pavarësisht hapësirave me bar dominon betoni. Megjithëse qytet turistik dhe porti më i madh i vendit, Durrësi nuk ka asnjë park, ku njerëzit mund të gjejnë prehje pranë gjelbërimit. Durrësit të sotëm i mungon pikërisht kjo mushkëri e gjelbërt që do të ndikonte sadopak në uljen e parametrave të lartë të ndotjes ambjentale. Banorët e vjetër të qytetit shprehen shpesh me nostalgji për Durrësin e para viteve ’90, i cili pavarësisht se ishte më i vogël si qytet, me më pak banorë, me ndërtesa ku ndërthurej arkitektura italiane me atë të realizmit socialist kishte veçoritë e tij që e bënin unik. Dhe një nga gjërat që e bënte atë unik ishte pikërisht Vollga, shëtitorja buzë detit, ku të mëdhenj e të vegjël shkëmbeheshin gjatë xhiros së pasdites, përshëndeteshin, shkëmbenin mendime, pushonin nëpër stolat e saj, aty ku të rinjtë nisnin dashuritë e para e ku fëmijët luanin mes pemëve e luleve. Për të thithur mendimin e qytetarëve durrsakë nëse preferonin gjelbërimin e atëhershëm të shëtitores apo këtë të tanishmin gazeta “Dyrrah” zhvilloi një sondazh në Forumin e Durrsakëve në një prej rrjeteve sociale. Komentet ishin nga më të ndryshmet, shpesh jo me shumë lidhje njëri me tjetrin, por ajo që i bashkon të gjithë është fakti se durrsakët kanë nostalgji për Vollgën e dikurshme, ndonëse shumë prej tyre e dinë që ajo nuk mund të rikthehet dhe njëherë në identitetin që kishte. Në pamundësi për të ndryshuar realitetin e sotëm ata në shumë raste drejtojnë gishtin tek pushtetarët vendorë që sipas tyre janë përgjegjësit kryesorë “për gjelbërimin e sotëm që nuk ekziston” (Ilir Muça). Në vijim do të lexoni komentet që ata kanë lënë në hapësirën rezervuar sondazhit tonë.  

Morena Cyrbja: ‎"Vollga" e dikurshme ka mbetur veç mes fotosh të zverdhura si një kujtim i hershëm, që mban lidhur të gjithë ata që kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre në këtë qytet. E pamundur të rikrijosh qytetin e dikurshëm pa shfletuar foto të marra thellë ndër vite. Dikush më tha disa ditë më parë, se do të rindërtohet "Bufe Vollga". Se di a duhet të besoj, sepse e tërë vija e shëtitores "Taulantia" është e tejmbushur me lokale, dhe lodra pa hesap, kuptohet me pagesë… Më duhen 20 mijë lekë të vjetra vetëm për të kënaqur fëmijët nëpër lodra… Dua vërtetë të jetë si më parë… A thua vallë të jesh ti Andi Papa që do më japësh kënaqësinë e dikurshme të lokalit të gjelbëruar, me orkestër dhe akullore me tasa kauçuku me fron??? (ka qenë një mendim i yti para disa kohësh)…

Andi Papa:E para e punës më vjen keq që quhet "ish Vollga" – ajo ka qenë, është dhe do jetë Vollga për të gjithë ne që e kemi jetuar. – E dyta, si tani ashtu edhe para 20 vjetëve, s'ka asnjë ndryshim në aspektin e gjelbërimit, kurse përpara 30 vjetëve, po – ka patur gjatë gjithë vijës bregdetare, pemë të vogla dhe stola poshtë tyre sikurse ka qenë edhe lulishtja e Vollgës plot me pemë dhe lule sikurse edhe lulishtja e Muzeut Arkeologjik po kështu (plot me lule) – mundësia është që të kemi edhe më shume gjelbërim, por e kam përmendur edhe herë tjetër, që të kemi çfarë të na doje shpirti neve në Durrës, duhet të kemi në radhë të parë njerëz dhe pastaj shtet ose pushtet. Që në kohën e Skënderbeut, s'kishim shtet, shqiptarët e shkretë luftuan dhe shtetin e parë e panë me sy në 1924 – kështu që edhe ne bëjmë detyrën dhe le të jetë edhe ajo kohë e largët, por dashtë Zoti do bëhet më mirë.

Eva Papa:‎ Vollga, ashtu njihet dhe do të mbetet historikisht ‎…ashtu siç është diskutuar para pak kohe, pa pyetje fare, por rastësisht, si shumë biseda që bëhen… unë jam shprehur dhe shpreh dëshirën e gjelbërimit të Durrësit të dikurshëm në përgjithësi dhe të gjithë sheshit gjatë bregut, pranë Vollgës ……. Në çdo drejtim e në çdo anë që t'a marrësh nuk zëvendësohet jeshillëku me betonin…(aq me tepër me atë shesh të gj‎elbër e me pemë, ku u linda, ushqehesha, luaja dhe u rrita…) por edhe gjatë trotuareve të ketë pemë si akacie, blen etj, që bëjnë hije në verë dhe zhvishen në dimër për të patur diell….I ka bërë zoti që më parë të jenë në dobinë tonë…… e pastaj edhe bukuria.

Renato Llukaci:  Besoj që gjelbërimi është mendimi i fundit në Durrës, kemi hequr dhe s’kemi mbjellë as një të dhjetën e asaj që hoqëm, mjaft të shohësh kodrën, është bërë shkretinë kudo, rrugëve u hoqën pemët e mëdha dhe u vunë fidanë, që si duhen gjë dreqit, duan 50 vjet me u rrit, nuk gjen një hije as dhe me një vend. Shoh një gjë kur hapen këto muhabete, ne që jetojmë larg na duket tragjike atje, (dhe për mendimin tim është kështu), kurse kush jeton në Durrës i duket normale ashtu siç është. Edhe diçka tjetër është që kur hapen këto diskutime dhe na kërkohet mendim mua fillon e më duket se po tallen me ne, mendoj që gjelbërimi, apo ndërtime pa vend, apo sitet arkeologjike , turizmi etj etj që mungojnë në Durrës nuk kanë nevojë për sondazhe, i sheh dhe qorri këto, por e kam thëne dhe herë tjetër që ato që qeverisin në Durrës që kanë në dorë këto gjëra janë gjithmonë nga Durrësi, dhe kur ata nuk bëjnë asgjë për këtë ne që nuk na përfill njeri na kërkohet mendimi, nuk duket pak e çuditshme kjo?

Konci Doriel:  Mirëmbrëma miq,,,mendoj se nuk ka rëndësi se cili modeli i gjelbërimit të jetë, ai i viteve 90 apo ky i ditëve te sotme…. mendoj se është e rëndësishme që një ditë të ketë hapësira të gjelbëruara ose ato hapësira që janë prishur t’i kthehet identiteti……Por kjo ditë mbase mbase mund të jetë shumë larg ose ndoshta nuk vjen fare ose duhet të kalojnë disa dekada derisa pasardhësit tanë të ndërgjegjësohen…për qytetin e tyre apo qoftë edhe për lagjen apo pallatin ku jetojnë….

Leonard Xhaxho:  Po normale se 70 % e qytetit punon në industrinë e ndërtimit (shtrim pllakash, elektricistë, hidraulikë, bojaxhi) dhe 30 % në agjensitë detare dhe turistike! Këto pra janë bizneset në Durrës!

Ilir Muça:Preferoj gjelbërimin që ishte tek Vollga, preferoj gjelbërimin që ishte tek Vila, preferoj gjelbërimin (megjithëse i pakët) që ishte në Plazh etj. etj.. Preferoj gjelbërimin që ishte në vend të gjelbërimit të sotëm që nuk ekziston. Gjelbërim është jo vetëm të ulesh në një copë bar të gjelbër, por edhe të  rrish nën hijen e një peme. Mos harroni që një qytet si Neë York  ka gjithë atë park në qendër të qytetit, ne të paktën të kemi 3-4 pemë tek Vollga.

Dritan Gjergji:‎Unë mendoj se nuk ka nevojë të studiosh fizikë bërthamore që të kuptosh se në Durrës kështu si po ecet nuk shkohet asgjëkund  në qoftë se nuk bindemi se gjelbërimi është i shenjtë dhe nuk preket s`kemi gjë në vijë: shkurt gjelbërimi është jetë ndërsa betoni ……. Në të vërtetë ne mund t’i përgjigjemi të gjitha pseve që mund të na vijnë në kokë, duke marrë fatin tonë në dorë, duke qënë të përgjegjshëm ditën e votimeve duke votuar me vetëdije, duke e detyruar politikën që të na e ketë "friken" sepse ne e ndëshkojmë me votë… Dua të theksoj që gjelbërimi nuk është kundër ndërtimit, por duhet të qartësojmë idetë e të ndërtojmë sipas ligjeve.

Lavdosh Abazaj:  Pse ka mbet gjelbërim ke Vollga!!!??? Bar, po, ka me shumicë !!!nga ai i Lazaratit…ashtu siç ka qenë ishte 1000 herë me mirë. Ta them unë që të gjithë kryetarët e bashkisë në Durrës kanë mbush xhepat, të gjithë politikanet po atë punë kanë bo dhe këtë e dimë te gjithë, por as njeri se thotë. për sa kohë të vazhdojë kjo heshtje Durrës nuk ka. Ajo Vollgë edhe pa gjelbërim ishte fantastike, mjafton të shikoje perëndimin çdo mbrëmje. Kurse sot duhet me vajtur në Kallm me e pa,e dhe për pak ….. se kësaj nuk i dihet ça nuk bo vaki.

Gentian Sela:  Nuk e di nëse ju kujtohet lulishtja që fillonte para shkollës së muzikës dhe mbaronte tek banka e shtetit…deri në vitin 1993 ajo lulishte i kishte rezistuar ndërtimit të pallateve…në muajt e verës vinte pothuaj gjysma e Durrësit me të mëdhenj e të vegjël…Tani ajo lulishte nuk është më…Janë ndërtuar tre pallate dhe një kishë…Imagjinoni një qytet pa lulishte ku fëmijët nuk kanë një vend ku të luajnë…Dhe ku rruga është e zënë nga makinat…Një qytet i betonuar nga të katër anët…Pa gjelbërim pa pemë…na mbyti pluhuri. Nuk ka mendim po patët b… dalim protestojmë para bashkisë boll ndenjët gjithë natën në Facebook…do ngrehemi nesër apo jo????

Lira Milaqi:A mund të më shpjegojë njeri pse Durrësi u masakrua në këtë farë mënyre, pse plazhi i madh u kthye në një zonë urbane, pse nuk arrijmë ne Durrsakët të na dëgjohet zëri … Janë shumë pse që nuk arrij t'i përgjigjem. Tashti tek Vollga në verë nuk kalon dot nga erërat e vajit dhe të detit që qelbet nga mbeturinat që derdhen. Siç duken punët edhe për ne durrsakët nuk do të ketë një vend për ne nesër në Durrës. Për mendimin tim Vollga filloi të humbiste bukurinë e saj që me vendosjen e monumentit. Vite më parë nuk e di në e mbani mend por për ndërtimin e ish-Komitetit Ekzekutiv  prishën edhe një lulishte shumë të bukur, lulishten që ishte te biblioteka.

Irini Afezolli:  A është e mundur, që të bëhet një lulishte e madhe, gjithë gjelbërim, me një pistë në mes, ku të jetë gdhendur “VOLLGA”? Durrësit nuk i mungojnë inxhinieret, për të bërë projektet …..

Enkeleida Met-hoxha:  Ah ku ka mbetur Durrësi i dikurshëm! Na u thanë sytë duke parë vetëm beton !!!!!!!!!!!!

Vladimir Sulejmani:Un për mendimin tim jam për atë të para viteve ‘90…edhe markata e vjetër si edhe lulishtja 1 maji ishin shuuumë të bukura….por tashmë  po kthehen në beton…(((

Ilir Kellici:  Përshëndetje të gjithëve, komentet janë të bukura komike ironike trokasin fort për me bë diçka për me ndryshu, por ne Durrsakët kemi një indiferentizëm të paparë dhe dëshirat për me ndryshuar ngelin te kafja. Zor ta ngrejë zërin njeri para bashkisë për gjelbërimin. Durrësi nuk ka një park për fëmijë dhe për të gjithë siç e ka e gjithë bota duke filluar nga Tirana, Fal zotit që na ka dhuruar detin, përsa i përket sondazhit të bërë në forum e shoh pa vend sepse gjërat e vdekura s’kthehen më.

Albana Bardhi: Ku  pyet Bashkia për zërin tonë, ka kohë që e ka edhe gurin edhe arrën në dorë, njerëzit e shkretë i mbytin hallet e veta, të familjes dhe ata livadhisin si tu dojë qejfi

Voci Dekovelli:  Sa do donim të ishte me gjelbërim e cicërima zogjsh, por nuk vjen më ajo ditë, se pemët PRITEN kollaj, ndërsa betoni është FORCU e vetëm me tritol prishet. AI VEND DO KUJTOHET, NA ISHTE NJËHERË………….

Xhelal Tafaj:  Zotërinj të Forumit jam me ju lidhur me shqetësimin që ngrini, por JU besoni vërtet se aty behet fjalë për SHËTITORE ? Jo, të nderuar. Ajo është kthyer në një park lodrash dhe treg shitje, ku nuk mund të shëtisësh i qetë.

Arivet Ari:  E shyqyr që e bonë këtë shëtitoren se na mungonte  icik beton në Durrës………….