TIRANE – Familjarët e viktimave të Gërdecit nëpërmjet një deklarate për mediat i bënë thirrje Gjykatës së Apelit t’u japë dënimin maksimal fajtorëve të kësaj tragjedie, duke respektuar kështu ligjin, sipas tyre.
“Në datën 4 shkurt 2013 gjykata e Apelit ka mundësi të riparojë traumën që shkaktoi vendimi zhgënjyes i shkallës së parë. Sa për histori ju kujtojmë se me vendimin në fjalë ra akuza e vrasjes në rrethana të cilësuara. Kështu, sipas Gjykatës së Shkallës së Parë nuk pati vrasje siç pretendonte prokuroria. Sigurisht që kjo nuk mohon faktin që në Gërdec humbën jetën 26 persona. Thjesht këto humbje jete u riklasifikuan si pasoja anësore të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Diferenca kryesore mes klasifikimit të bërë nga gjykata në krahasim me atë që pretendoi prokuroria ndikoi tek masa e dënimit. Gjykata gjeti një nen më të butë duke hedhur idenë se burgimi i përjetshëm bëhet i papërshtatshëm. Pavarësisht kësaj, neni 289 i Kodit Penal në paragrafin e dytë parashikon një dënim jo më pak se pesë vjet. Kjo do të thotë që gjykata teorikisht në aplikim të këtij neni mundet edhe të mbërrinte të jepte një dënim me burgim të përjetshëm. Këtë mund ta mbështeste edhe në nenin 31 të Kodit Penal, i cili lejon dhënien e burgimit të përjetshëm në rastet e një krimi të rëndë”, thuhet në deklaratë.
Ata shprehen se, “Kemi 5 vjet që gjendemi përpara faktit gati të kryer. Ndërkohë jetë të tjera kanë humbur për shkak të dhimbjes së krijuar. Ju kujtojmë tragjedinë e familjes Osmani, ku së fundmi vrau veten dhe Tushja e cila la pas një mbesë vetëm 5 vjeç. Aq sa vitet që ne presim për drejtësi. Nëse këto ngjarje do të kishin ndodhur në SHBA, ku dhe u dënua Efraim Diveroli thjesht për mos respektim të rregullave të detyrueshme të një shteti tjetër, dënimi do të ishte maksimal. Sistemi atje njeh mundësinë e vlerësimit të dhimbjes nga një trup gjykues popullor. Këtu ky sistem nuk ekziston, por është e qartë nga ana tjetër se opinioni publik është në anën tonë në këtë luftë me të drejtën. Për një gjykatë popullore dënimi do të ishte maksimal. Gjykata e Apelit duhet ta marrë në konsideratë ndjeshmërinë sociale lidhur me këtë tragjedi, që përbën dhe një nga funksionet e drejtësivënies e të respektimit të ligjit”, theksohet në deklaratë.





