Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, le në burg ish-kreun e ARRSH Evis Berberi dhe bashkëpunëtorët e tij, dy biznesmenët e lidhur me të, Valter Begaj, dhe Ervis Lami. GJKKO vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg” për të tre këto persona.
Vendimi i GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 25.04.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 16 akti, datë 16.04.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe ankimet e personave nën hetim Evis Berberi, Ervis Lami, Valter Begaj, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 21, datë 13.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi
Miratimin e vendimit nr. 21, datë 13.03.2024 dhe të vendimit nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.