Në një dalje për mediat ditën e sotme, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj bëri me dije se pas apelit të bërë një ditë më parë në lidhje me mosemërimet të anëtarëve të KQV, ka pasur reagim pozitiv nga partitë politike.
Por, megjithatë Hoxhaj thotë se ende ka KZAZ, pranë të cilave nuk janë depozituar propozimet e komisionerëve për anëtarë të QV-ve.
KQZ ripërsërit apelin për partitë politike që të dorëzojnë brenda ditës së sotme të gjithë propozimet për komisionerët e Qendrave të Votimit pranë KZAZ-ve përkatëse.
Deklarata e plotë:
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ndjek në dinamikë situatën sa i përket emërimeve të anëtarëve të KQV. Pas apelit të një ditë më parë, ka reagim pozitiv nga ana e partive politike, por ende vijojmë të kemi KZAZ pranë të cilave nuk janë depozituar propozimet komisionerë të QV-ve.
Edhe pse nuk jemi në kushtet që të gjithë komisionerët të jenë të emëruar, KQZ ditën e neserme do të fillojë zbatimin e skemës së trajnimit, e cila i është vënë në dispozicion të gjitha KZAZ-ve, partive politike që propozojnë anëtarët e KQV-ve dhe misionit të vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it.
Komisionerët e qendrave të votimit të marrin pjesë në mënyrë aktive në trajnim, pasi rritja e tyre profesionale dhe njohja e mirë e ligjit, ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në mirëadministrimin e procesit zgjedhor dhe në arritjen e standardeve të kërkuara zgjedhore.
KQZ ndryshe nga vitet e tjera, ka parashikuar që trajnimi do të zhvillohet në oraret e pasdites, 16.00-18.30, me qëllim për të shmangur pengesat për të marrë pjesë në trajnim.
Trajnimet do të zhvillohen në ambjentet e shkollave, gjë e cila u arrit në sajë të bashkëpunimit të suksesshëm me Ministrinë e Arsimit.
Sa më sipër, KQZ ripërsërit apelin për partitë politike që të dorëzojnë brenda ditës së sotme të gjithë propozimet për komisionerët e Qendrave të Votimit pranë KZAZ-ve përkatëse.
Njëkohësisht apeli shkon edhe për komisionerët, të cilët pjesëmarrjen në trajnim e kanë detyrim të ngarkuar nga Kodi Zgjedhor.





