Gjykata e Apelit të Posaçëm lë në fuqi vendimin për Klement Çalën, për ta dënuar atë me 20 vite burg, si një prej autorëve të përfshirë në grabitjen në Rinas.

I njëjti vendim i shkallës së parë u la në fuqi dhe për bashkëpunëtorët e tjerë të bandës së grabitësve: Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, trupa gjykuese dha nga 17 vite burg për secilin.

Grabitja e Rinasit ndodhi në datën 9 prill të 2019, ku në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion.

Por gjatë ndjekjes nga policia dhe pas shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë organizatori kryesor I grabitjes, Admir Murataj.

Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala u arrestuan më 19 mars, vetëm 1 vit pas ngjarjes. Për kapjen e Klement Çalës policia vuri 10 mijë euro shpërblim për këdo që jepte informacion për të. Atyre iu sekuestrua edhe pasuria, apartamente e trualle.

Grupi i drejtuar në atë kohë nga Admir Murataj dyshohet se është përfshirë edhe në sulmet me armë në automjetet që transportonin paratë e bankave drejt Rinasit.

Ndërkohë që është dyshuar se sasia e parave e marrë në këto ngjarje është më e madhe, e shumë prej tyre nuk janë gjetur ende.