Gjykata e Apelit në Tiranë ka caktuar sot masën e sigurisë për protestuesit e opozitës, të cilët u shoqëruan me 16 mars.

Gjykata ka lënë në burg Mariglen Docin dhe Dorjan Protoduarin, ndërsa për shtetasit Pal Dija, Gazmir Bekshiu, Aldi Spaho, Emilajno Mustafën dhe Ermir Bruka është caktuar masa e sigurisë "arrest shtëpie".

Familjarët së bashku me ish-deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliun kanë ankimuar masat. Balliu pohoi se nuk ka asnjë provë, por shtoi se Rama ka arrestuar qytetarët, pasi ka frikë dhe iu trembet protestave.

"Kemi dy muaj që shohim vetëm protestues të arrestuar që mbahen në arrest me burg sepse shikohen si të rrezikshëm. Ata nuk janë të rrezikshëm ndaj shoqërisë por pushtetit ilegjitim të Edi Ramës. Kemi parë në gjyqe të ndryshme sesi njerëz të përfshirë në vrasje janë hetuar në gjendje të lirë apo arrest shtëpie. Ndërsa protestuesit i arrestojnë dhe gjykatat vendosin arrest me burg për këta qytetarë për të cilët nuk ka asnjë provë. Këto janë gjykatat e ERTV dhe gjykatat e Rilindjes. Nuk ka mbetur gjë tjetër vetëm të vijë Edi Rama këtu dhe ti japë vete vendimet.Këto gjykata janë kthyer në gjykata qesharake, politike.Ky njeri është në ditët e tij të fundit dhe gjithë këta luanë protestash që po përballen me këtë qeveri ilegjitime do të tajtohen siç duhet trajtuar luani në një qeveri që do të vijë nga votat e lira dhe minjtë e haleve të rilindjes do të trajtohen siç duhen trajtuar minjtë e halet."

Nga ana tjetër ende për pesë protestues të tjerë nuk është caktuar masa e sigurisë. Ata janë; Ilir Hamedani, Ferit Dankshi , Saimir Rexhepi, Florenc Hoxha, Agim Peposhi.