Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sigurimit arrest në burg për ish-deputetin Jurgis Çyrbja. E njëjta masë u la edhe për Ahmet Mashën, i cili u arrestua bashkë me Çyrben.

Ish-deputeti i PS-së në qarkun e Durrësit u arrestua me urdhër të SPAK. Prokuroria e Posaçme njoftoi se gjatë ushtrimit të detyrës së tij si deputet, Çyrbja i ka ofruar favorizime të shumëkërkuarit të drejtësisë Altin Hajri. Ky i fundit në këmbim i siguronte vota për t’u zgjedhur deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Një tjetër akuzë ndaj tij është edhe nxjerrja e sekretit hetimor. Për këtë, ai ka bashkëpunuar me Ahmet Mashën. Ata kanë dekonspiruar të paktën 7 operacione të policisë për arrestimin e disa të kërkuarve.

Tre ditë më parë, Çyrbja u mor në pyetje sërish nga SPAK ku mohoi të gjitha akuzat.

VENDIMI I SOTËM

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 18.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 59 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim J.Ç. dhe A.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 126, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 129, datë 22.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 126 akti, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 129, datë 22.10.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim J.Ç. dhe A.M.”.