Gjykata e Apelit ka lënë në burg ish-zyrtaren Alda Klosi, e cila kishte kërkuar lirimin nga qelia e burgut.
Klosi kërkon lirinë në Gjykatën e Apelit duke argumentuar se ka 2 fëmijë të mitur dhe se ka në kujdestari edhe nënën e saj të verbër.
Kujtojmë se ish-zyrtarja përfundoi pas hekurave pas dëshmisë së pastrueses së saj Rozeta Dobi, e cila grabiti në shtëpinë e Klosit rreth 120 mijë euro. Të dyja po qëndrojnë në të njëjtin paraburgim te burgu i grave “325”.
NJOFTIMI I GJYKATES:
Referuar interesimit të mediave, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlërësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personit nën hetim shtetases me iniciale A.K (Ç), e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore, parashikuar nga nenet 257/a/2, 287/1 dhe 305/b të Kodit Penal.
Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e datës15.12.2022, ku në Rrugën e “Kosovarëve”, tek pallati “Orion” është vjedhur banesa e shtetases me iniciale A.K (Ç). Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autorë të dyshuar të vjedhjes së banesës së shtetases me iniciale A.K (Ç), është shtetësja me iniciale R.D, e punësuar si pastruese së bashku me djalin e saj me iniciale H.D.
Me vendimin nr. 250 Akti, datë 07.02.2023 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendosi:
– Vlerësimin e ligjshëm të ndalimit të kryer nga policia gjyqësore, ndaj personit nën hetim A.K(Ç), e dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore, parashikuar nga nenet 257/a/2, 287/1 dhe 305/b të Kodit Penal.
-Caktimin ndaj personit nën hetim A.K(Ç) masën e sigurimit “arrest ne burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale A.K(Ç), e cila kërkoi ndryshimin e vendimit, duke vlerësuar si të paligjshëm ndalimin dhe caktimin e një mase sigurimi të ndryshme nga ajo që ka vendosur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Seanca gjyqësore u zhvillua në mungesë të ankueses, në prezencë të mbrojtësit të zgjedhur prej saj, av.Ilirjan Muho.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 20.02.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Irena Brahimi, vendosi:
-Miratimin e vendimit nr. 250 Akti, datë 07.02.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.