Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë këtë të hënë në fuqi vendimin për sekuestron e 34 pasurive të Ervis Martinajt.
34 pasuri në emër të Martinajt dhe familjarëve të tij u sekuestruan më 15 shkurt, me vendim të Gjykatës së Posaçme, me dyshimet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Gjykata pranoi kërkesën e SPAK që pasi kreu një hetim pasuror për Martinajn dhe lidhjet e ngushta të tij, në bazë të ligjit anti-mafia, doli në konkluzionin se ato nuk justifikoheshin me burime të ligjshme.
Ky vendim u apelua nga familjarët e Martinajt, megjithatë Apeli vendosi sot ta lerë në fuqi.
Në sekuestro është vendosur një kazino që ishte 100 përqind në pronësi të tij, si dhe disa shoqëri aksionere. Nga lista e sekuestrimeve rezultojnë edhe 9 shoqëri aksionere që Martinaj i ka në emrin e tij dhe të familjarëve.
Gjithashtu sipas vendimit të Gjykatës janë sekuestruar 5 automjete luksoze, toka, troje dhe ullishte si dhe apartamente dhe llogari bankare në Kurbin, Tiranë, Fushë-Kuqe dhe në Dhërmi.
SPAK ka kaluar në sitë llogaritë bankare të Martinajt dhe të afërmve të tij që prej vitit 2000 dhe ajo që bie në sy janë vlerat monetare të larta të transferuara në rrugë bankare dhe cash.
Në sitë gjithashtu kaluan edhe pronat e luajtshme dhe të paluajtshme të tyre, ku SPAK arriti të identifikojë një banesë në Surrel e blerë në letra nga një person tjetër, por që pas dëshmisë së tij, rezultoi se ishte blerë realisht nga Ervis Martinaj.
Ky i fundit u shpall në kërkim në maj 2022 pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili ka deklaruar se Martinaj i kishte paguar 500 mijë Euro për eliminimin e Indrit Dokles. Por në gusht 2022, Martinaj u denoncua i zhdukur nga familjarët. Hetimet për zhdukjen ende nuk kanë dhënë përgjigje nëse është i gjallë apo ka humbur jetën.