Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli sot, më 16 shtator 2025, vendimin përfundimtar në lidhje me ankimin e të pandehurve Vangjush Dako dhe Adrian Bulku, duke lënë në fuqi dënimet që ata morën nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Gjykata e Apelit hodhi poshtë ankimin e të pandehurve, duke konfirmuar dënimet e mëparshme.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), sot më datë 16.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 02.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurve/ankues V.D., F.F., A.B., ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
1. Mospranimin e ankimit të të pandehurit F.F. ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
2. Lënien në fuqi të vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
3. Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht;
4. U shpall në Tiranë, sot më datë 16.09.2025.“- shkruhet në vendim.
Ish-zyrtari u shpall fajtor për shpërdorim detyre në dy raste. Dako u arrestua më 6 qershor 2023, por u lirua nga qelia tetë muaj më vonë, pasi SPAK nuk arriti të përfundonte hetimet brenda afateve të përcaktuara nga gjykata. Aktualisht, ai ndodhet në masën e sigurimit “arrest shtëpie”. Pas këtij vendimi, sipas përllogaritjeve, Dakos i mbeten edhe disa ditë të tjera për të vuajtur në qeli.





