LEZHE, 24 mars 2013- Gjykata e Apelit në Shkodër ka lënë të lirë ish-kreun e komunës Dajç në Lezhë, Rrok Rroku, i cili akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën.

Në këtë mënyrë, Apeli ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Lezhës, e cila dha masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj Rrokut.

Pasi ka dëgjuar pretendimet e avokatit mbrojtës, Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij me “Detyrim paraqitjeje” deri në përfundim të procesit gjyqësor ndaj tij.

Sipas prokurorit të çështjes, Rroku akuzohet për përvetësimin e parave nga shitja e 6 automjeteve, donacione të shoqatave të huaja për komunën.

Por sipas avokatit mbrojtës, këto mjete nuk kanë qenë në inventar të komunës dhe nuk është bërë asnjë lëvrim fondesh nga kjo njësi vendore për këto mjete.

Rroku pretendon se mjetet nuk i ka marrë asnjëherë në inventarizim të njësisë vendore që ai ka drejtuar, pasi nuk kishin kushte të mira teknike.

Për akuzën e ngritur nga prokuroria, ish-kreu i komunës Dajç, Rrok Rroku rrezikon 8 deri në 10 vite burg.